Djali i ish-ministrit Nenad Rashiq është rrahur sot para shkollës ku ai vijon mësimin në fshatin Llapnasellë të Graqanicës. Në lidhje me rastin, Policia e Kosovës ka shoqëruar 8 persona, prej tyre njëri i mitur.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmetaj ka konfirmuar rastin.
“Sot rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën për një rrahje në progres në afërsi të shkollës në Llapnasellë, ku kanë qenë të përfshirë disa persona. Me të marrë informatën njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Bazuar në informacionet e para dyshohet se një person mashkull , ka pësuar lëndime dhe i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor”, ka thënë ajo.
“Lidhur me këtë rast policia ka shoqëruar në stacion policor 8 persona të dyshuar (prej tyre një i mitur). Aktualisht po vazhdon puna për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen.”, shtoi Ahmetaj.