Infektologu Ilir Tolaj në një prononcim ka folur rreth situatës epidemiologjike të krijuar nga pandemia COVID-19, por edhe për mundësinë e mbylljes totale të vendit nëse në ditët në vazhdim do të kemi rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus.
Tolaj ka thënë se nëse numri i rasteve të reja me COVID-19 do të rritet në ditët e ardhshme, atëherë kjo është pasojë e sjelljeve të papërgjegjshme të politikanëve gjatë fushatës parazgjedhore.
Sipas tij, fushata parazgjedhore ka qenë shembulli klasik i shkeljes masive të masave antiCOVID.
“Fushata parazgjedhore ka qenë shembulli klasik i shkeljes masive të masave antiCOVID. Që situata të jetë edhe më e rëndë, ishin m’u politikanët që i bënë këto shkelje dhe e provokuan, madje edhe i bënë thirrje popullatës që të mos i respektojnë masat antiCOVID. Nëse numri i rasteve të reja do të rritet në vazhdimësi në ditët e ardhshme, atëherë kjo padyshim është pasojë e kësaj sjellje të papërgjegjshme gjatë fushatës parazgjedhore”, ka thënë Tolaj.
Infektologu ka shtuar se nëse nuk vjen një valë e re e COVID-19, atëherë kjo gjë e vërteton që “Kosova tashmë ka krijuar një nivel solid të imunitetit kolektiv, që po e mbron vendin dhe popullatën”
“Përkundër faktit se dje kishim një numër më të madh të rasteve, sot numri i rasteve të reja është sërish në nivelin e ditëve të mëhershme. Pra nuk kemi një trend të rritjes së vazhdueshme të rasteve të reja, nga dita në ditë. Në duhet ta përcjellim situatën edhe në javën që sapo e filluam, në mënyrë që të konstatojmë se a do të ketë rritje të numrit dhe eventualisht një vale të re, që do të jetë në lidhje direkte me mosrespektimin e masave në fushatën parazgjedhore, apo numri do të qëndrojë stabil, duke e vërtetuar faktin se në Kosovë tashmë është krijuar një nivel solid të imunitetit kolektiv, që po e mbron vendin dhe popullatën nga një valë e re”, ka thënë Tolaj.
Tolaj ka foluar edhe për mundësinë që vendi të shkojë në një izolim total.
Ai ka nënvizuar se nuk beson që do të ballafaqohemi me ndonjë situatë të papërballueshme e cila kërkon masa ekstreme e të jashtëzakonshme.
“Kjo varet së pari a do të shtohet numri i rasteve të reja apo jo, e nëse shtohet sa është kjo rritje. Varësisht nga kjo duhet të jenë edhe masat eventuale. Personalisht nuk mendoj se që të ballafaqohemi me ndonjë situatë të papërballueshme e cila kërkon masa ekstreme e të jashtëzakonshme. Nuk e besoj një gjë të tillë. Tash për tash nuk ka ndryshuar asgjë që arsyeton madje edhe të diskutuarit e masave të tilla, e lëre më vendosjen e tyre”, ka thënë ai.
Në fund, Tolaj ka folur rreth punës së Bordit Këshilldhënës për Menaxhimin e COVID-19.
Sipas tij, komisionet e tilla duhet të jenë në shërbim të shëndetit të popullatës e jo të politikës.
Ai ka shtuar se reagimet e këtij komisioni në kohën kur u shkelën të gjitha masat antiCOVID kanë munguar.
“Nuk kam një vlerësim të mirë për këtë Komision. Komisionet e tilla duhet të jenë në shërbim të shëndetit të popullatës e jo të politikës, siç ka qenë rasti me këtë komision. Reagimet e këtij komisioni në kohën kur u shkelën të gjitha masat antiCOVID munguan fare, duke i delegjitimuar anëtarët e këtij komisioni si në aspektin profesional ashtu edhe intelektual”, ka përfunduar Tolaj.