Zëvendësministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në qeverinë në detyrë të Kosovës Enver Hoti ka komentuar zhvillimet e fundit në Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë, ku u arrestuan disa zyrtarë të saj.
Ai në një prononcim deklaroi se organet e drejtësisë kanë mbështetjen e plotë për të kryer hetimet e nevojshme për çka do që mund të dyshohet.
“Sot është një ditë e bukur me diell kështu e jashtëzakonshme dhe ndaj mendimin se organet e drejtësisë e kanë mbështetjen e plotë për të kryer veprimet e duhura për gjithçka që dyshohet dhe që mund të jetë e keqpërdorur”, tha Hoti.
Ai ka thënë se në lidhje me këtë aksion dhe të gjitha veprimet e kryera gjatë ditës së sotme nga ana e organeve të rendit duhet pritur vlerësimet zyrtare.
“ Të gjithë ata që përdorin dhe keqpërdorin pozitat zyrtare duhet t’i nënshtrohen organeve të drejtësisë, presim deklarimet nga organet përkatëse dhe sistemi i drejtësisë dhe mandej mund ta kemi të qartë. Mendoj se politika duhet ta mbështes fuqishëm gjithë aktivitetin e organeve të drejtësisë”, theksoi Hoti.