Anëtarja e Kryesisë së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas sulmit fizik ndaj gazetarit hulumtues Visar Duriqi.
Haxhiu tha se sulmet e tilla fizike si kjo ndaj gazetarit Duriqi janë cenim i mendimit e fjalës së lirë.
“Çdo sulm ndaj mendimit është njëherazi sulm ndaj lirisë, ndërkohë që pa këtë të fundit nuk mund të ketë as mendim. Andaj, çdokush ka të drejtë të mendojë dhe të shprehet lirshëm”, shkroi Haxhiu në Facebook, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë
Nuk duhet me domosdo të pajtohemi me mendimet, por medoemos nuk duhet të pajtohemi me asnjë sulm ndaj mendimeve e shprehjes së lirë. Sulmet e tilla fizike si kjo ndaj gazetarit Duriqi janë cenim i mendimit e fjalës së lirë. Në shoqërinë tonë këto janë të patolerueshme. Çdo sulm ndaj mendimit është njëherazi sulm ndaj lirisë, ndërkohë që pa këtë të fundit nuk mund të ketë as mendim. Andaj, çdokush ka të drejtë të mendojë dhe të shprehet lirshëm.
Gazetarit Duriqi i uroj shërim sa më të shpejtë dhe i bëj thirrje organeve të rendit që sa më parë dhe me prioritet të trajtojnë sulmin e mbrëmshëm.