Anëtari i Listës Guxo, Haxhi Avdyli, ka treguar se kush do të jetë zëvendësim i Vjosa Osmanit në krye të partisë nëse kjo e fundit bëhet presidente.
Lista Guxo ka garuar në këto zgjedhje në listën e VV-së, ndërkohë që Vjosa Osmani ka qenë numër 2 dhe kandidate për presidente.
Për t'u zgjedhur presidente duhet që të jenë të pranishëm 2/3-at e Kuvendit dhe nuk është sigurt nëse kjo gjë do të ndodhë, pasi sipas rezultateve preliminare VV ka rreth 47% të votave.
Në rast se zgjedhet presidente, Osmani duhet të japë dorëheqje nga të gjitha pozitat partiake pasi që ndryshe do të bënte shkelje të Kushtetutës.
Avdyli ka thënë se zëvendësuese e saj në këtë subjekt do të ishte Donika Gërvalla.
Po ashtu, Avdyli ka thënë se nuk do të kthehet asnjëherë në LDK. Njëjtë ka deklaruar më herët edhe Vjosa Osmani, e cila tha se votat e popullit i kanë trasuar rrugën që ajo të jetë presidente.
Avdyli, Osmani dhe Faton Peci u larguan nga LDK dhe krijuan një nismë të tyre qytetare.
LDK, ndërkohë pësoi rezultatin më të keq në histori ku fituan vetëm 13% të votave. Në këtë subjekt janë paralajmëruar zgjedhjet e reja për kryetar të partisë që do të mbahen më 14 mars.