Ka disa ditë që janë bërë publike disa dosje të UNMIK-it për vrasjet e ish-zyrtarit të LDK, Xhemajl Mustafa, ish-komandantit të UÇK, Ekrem Rexha dhe rastin e plagosjes së ish-deputetit të LDK-së, Fetah Rudi. Dosjet e publikuara nga ‘Albanian Post’ ngjallën shumë reagime ku mes të tjerash përmendeshin emra si të dyshuar për rastet e përmendura.
U raportua se drejtori i Albanian Post, mediumit që i publikoi dosjet e Misionit të OKB-së, është ftuar për intervistim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Por gazetari Baton Haxhiu ishte i shpejtë në mohimin e këtyre lajmeve.
Ai tha se nuk është ftuar nga Prokuroria Speciale në Hagë.
Media ka kontaktuar me ZPS’në duke i kërkuar komente për çështjen e publikimit të dosjeve ku flitet për vrasjet e pas luftës që mund të jenë pjesë e hetimeve edhe nga Haga.
Por, Prokuroria e Specializuar në Hagë ka qenë e shkurtër.
“Ju faleminderit për komunikimin tuaj. Zyra e Prokurorisë së Specializuar nuk i komenton raportimet në media”, tha Bennett të premten.
Media e ka pyetur zëdhënësin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Kosovën, Christopher Bennett, edhe nëse Haxhiu është ftuar për intervistim rreth publikimit të dosjes së UNMIK-ut. Por, ai nuk është deklaruar.
Pas publikimit të dosjeve të UNMIK-ut, shumë zyrtarë të LDK-së u deklaruan për çështjen e Mustafës e Rudit duke kërkuar zbardhjen e rasteve të tyre.