Bashkimi Evropian ka status neutral për çështjen e Kosovës dhe Serbisë.
Ky ishte arsyetimi që përdori BE kur e arsyetoi çështjen e hartës skandaloze që emisari i dialogut Miroslav Lajçak mban në zyrën e tij, e ku Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë.
E një gjë e tillë i ka rënë në vesh edhe ish-gjyqtari të EULEX-it, Malcolm Simmons.
Ai në një postim në Twitter, ka pyetur se a është e mundur për një organizatë si BE që të ketë një status neutral.
Simmons ka thënë se një gjë e tillë sugjeron që BE mund të mbështesë një rezultat që nuk është në interesin e shteteve anëtare të saj.
“A është e mundur që një organizatë si BE të jetë ‘status neutrale’? Të jesh ‘neutral ndaj statusit’ sugjeron që BE mund të mbështesë një rezultat që nuk është në interesin e Shteteve Anëtare. A është ky një realitet?”, ka shkruar ai.
Simmons pritet të dëshmojë në Kuvendin e Kosovës për shkeljet që EULEX-i kishte bërë gjatë misionit të tij për sundimin e ligjit në Kosovë.
Ai kishte parashtuar një kërkesë për raportim, mirëpo rënia e qeverisë ka shtyer raportimin e tij.