Në 23 vjetorin e masakrës së Likoshanit dhe Qirezit, kandidatja për deputete nga PDK, Ariana Musliu Shoshi tha se policia serbe vrau gra, pleq, burra dhe të rinj të pafajshëm, të paarmatosur e të pambrojtur në shtëpitë e tyre.
Ajo tha se populli shqiptar sakrifikues, lufta dhe rezistenca e UÇK-së dhe përkrahja e fuqishme ndërkombëtare, kanë kulmuar me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Postimi i plotë:
Sot bëhen 23 vite nga masakra dhe beteja në dy fshatrat e Drenicës, Likoshan dhe Qirez. Policia serbe, vrau gra, pleq, burra dhe të rinj të pafajshëm, të paarmatosur e të pambrojtur në shtëpitë e tyre.
Këto vrasje do të bënin jehonë në gjithë Kosovën dhe në çdo vend ku kishte shqiptarë, se fati i ynë do të vulosej vetëm nga bashkimi i të gjithëve kundër pushtetit okupues serb në Kosovë. Populli shqiptar sakrifikues, lufta dhe rezistenca e UÇK-së dhe përkrahja e fuqishme ndërkombëtare, do të kulmonin me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Vlera sublime për të cilat u flijuan bashkëqytetarët tanë, të cilët sot i nderuam me homazhe.
I përjetshëm do të qëndrojë kujtimi dhe nderimi për të rënët.
Lavdi jetës dhe veprës së tyre!