Analisti politik, Nexhmedin Spahiu thotë se Kosova me çështjen e vendosjes së ambasadës në Jeruzalem është pala e vogël mes dy shteteve të fuqishme si Izraeli dhe Turqia.
Prishjen e marrëdhënieve me cilindo nga këto dy shtete, Spahiu thotë se Kosovës do i shkaktohen telashe të mëdha.
“Duhet me qenë në lëkuren e Albin Kurtit për me marrë një vendim kaq të rëndësishëm ku ti je palë e vogël dhe bëhet fjalë për dy shtete të fuqishme ku njëra ka ndikim në botë dhe tjetra ka ndikim rajonal. Natyrisht që prishja e marrëdhënieve në cilindo rast do t’i shkaktojë Kosovës telashe të mëdha.”, deklaroi Spahiu.
Spahiu shpreson në mirëkuptimin e SHBA-së dhe dy palëve (Izraelit dhe Turqisë).
Përndryshe, thotë ai Kosova është në një situatë delikate.
“Nuk e di si do jetë epilogu, por shpresoj që në rradhë të parë amerikanët kanë me pasë mirëkuptim për Kosovën dhe edhe në të dy palët e involvuara shpresoj që kanë mirëkuptim, përndryshe Kosova është në situatë delikate sa i përket marrëdhënieve me këto dy vende“, shtoi ai.
Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çağri Sakar, është takuar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Në këtë takim, është diskutuar edhe vendosja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, duke thënë se kjo do të vendoset gjatë ditëve në vazhdim.
“Sa i përket çështjes rreth vendosjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem, Kurti tha se njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit është shumë e rëndësishme për Kosovën, dhe mundësi e mirë për zhvillim, ndërsa rreth vendit se ku do të vendoset ambasada është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje.”, thuhej në njoftimin nga Vetëvendsoje.