Ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa thotë se asnjë kandidat nuk është paraqitur zyrtarisht se do garojë për të zëvendësuar atë.
Kanë mbetur fiks dy javë deri në mbajtjen Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, ku pritet që delegatët të zgjedhin kryetarin e ri të kësaj partie.
Tanimë janë një numër i personaliteteve të kësaj partie, që si duket kanë shprehur ambicien për të qenë kandidatë.
Megjithatë reagimet e fundit të zyrtarëve të LDK-së nëpër rrjetet sociale, tregojnë se bëhet fjalë për ndarjen në dy tabore brenda kësaj partie.
Ata që përkrahin Lutfi Hazirin për kryetar dhe ata që e duan Kujtim Shalën në këtë pozitë.
Megjithatë, ende nuk ka asnjë kandidaturë zyrtare që është dorëzuar në këtë parti, e që do garonte për të zëvendësuar kryetarin 10 vjeçar të LDK-së, Isa Mustafën.
Këtë e ka konfirmuar vetë ish-kreu i kësaj partie, në një intervistë.
“Nuk ka asnjë, deri më 14 mars secili ka të drejtë të dalë të sprovojë vetën nëpër degë të bisedojë, dhe të shohë si e ka përkrahjen dhe pastaj në këtë datë të dalin kandidaturat.”, Isa Mustafa, kryetar i LDK-së.
Mustafa foli edhe për lajmet se, njëri nga emrat më të përfolur, ka refuzuar të jetë kandidat për të parin e kësaj partie.
Ndërsa për kandidaturat e shpallura publikisht, Mustafa nuk ka pranuar t’i komentoj, duke thënë se do i presin kur të vendosen zyrtarisht.
Mustafa ka shtuar se data 14 mars nuk do të shtyhet, por do zgjedhet kryetari i ri.
Publikisht kandidaturën e tyre për të parin e kësaj partie e kanë shpallur Anton Quni dhe Melihate Tërmkolli.
Media ka kontaktuar edhe Lutfi Hazirin e Kujtim Shalën, por të njëjtit nuk i janë përgjigjur televizionit as pas disa tentimesh.