Anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani ka reaguar pas videos së publikuar ku shihet manipulimi me vota nga bashkëshorti i kryediplomates nga Kosova, Meliza Haradinaj-Stublla.
Elshani ka thënë se do të kërkoj menjëherë që të rinumërohen të gjitha vendvotimet të cilat kanë qenë në dorën e mashtruesve.
Tutje, ai ka thënë se video-inçizimet të këtij rast dhe rastet tjera të dyshimta të procedohen në prokurori.
“Jam i shokuar nga video-inçizimet të cilat shpërfaqin tendencat për manipulimin rezultatet e kandidatëve dhe për të ndryshuar vullnetin e qytetarëve. Si përfaqësues i Partisë Demokraitke të Kosovës në KQZ, do të kërkoj menjëherë që të rinumërohen të gjitha vendvotimet të cilat kanë qenë në dorën e mashtruesve, ndërsa video-inçizimet, ky rast dhe rastet tjera të dyshimta të procedohen në prokurori. Si KQZ përgjatë gjithë këtij procesi zgjedhor kemi qenë të angazhuar në integritetin e zgjedhjeve dhe ruajtjen e kredibilitetit të ndërtuar ndër vite të KQZ-së, andaj nuk do të lejojmë që askush në asnjë formë të baltosë e të cenoj këtë institucion që ka për obligim të ruaj dhe të paraqes saktë vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Elshani.