Kandidatja për deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, ka reaguar pas publikimit të skandalit të madh me manipulimin e votave.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bytyqi ka thënë se pavarësisht tentimeve që vullneti qytetar të devijojë, ajo do jetë zëri i qytetarëve dhe do angazhohet deri në zbardhjen e të vërtetës.
Ajo thekson se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa duhet të bëj rinumërimin e votave dhe Prokuroria duhet të merr masa për të hetuar këto skandale.
Ky reagim erdhi pas publikimit të hulumtimit nga Insajderi ku shihet se ministrja e Punëve të Jashtme në detyrë, Meliza Haradinaj Stublla, si duket nuk mori mjaftueshëm vota për të siguruar një ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Por ‘këtë problem’ e zgjidhi bashkëshorti i saj, Dardan Stublla, duke i blerë me 6 mijë euro katër komisionerë, të cilët i kanë dëmtuar dy kandidate tjera dhe kanë favorizuar Haradinaj Stubllën.
Arbër Krasniqi, një nga të përfshirët në videoincizim, dëshmon se grupi i komisionerëve ka pasur marrëveshje me Stubllën që këtë manipulim votash ta bëjnë për gjashtë mijë euro, por ata kanë marrë vetëm katër mijë prej tyre.
Komisionerët në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve manipuluan me rezultatet, duke vjedhur votat e kandidates së AAK-së për deputete, Florentina Gjergjaj, e më pas edhe të Albana Bytyqit, vetëm e vetëm që t’ia sigurojnë votat e nevojshme për ulësen e deputetit kryediplomates në detyrë, Meliza Haradinaj Stublla.
Postimi i plotë i Bytyqit:
Reagim Publik
Të dashur qytetarë,
Skandali i fundit i publikuar në media për formularët e rezultateve të kandidatëve tregon se për disa persona ”nuk është me rëndësi se sa të votojnë, e rëndësishme është kush t’i numëron!”
Pavarësisht këtyre tentimeve, ne nuk do të lejojmë që vullneti juaj të devijojë! Ky vullnet duhet të jetë i paprekshëm, prandaj unë do të jem zëri juaj dhe do të angazhohem deri në zbardhjen e të vërtetës!
Blerja e komisionerëve dhe favorizimi i kandidatëve të caktuar është e patolerueshme. PZAP duhet të bëjë rinumërimin e votave dhe Prokuroria duhet të merr masa për të hetuar këto skandale!
Albana Bytyqi