Ministrja e Jashtme në detyrë Meliza Haradinaj-Stublla, ka duartrokitur vendimin e PZAP-it, për rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve me kusht në të gjitha komunat dhe nga diaspora, për kandidatet e AAK-së.
Kandidatja e AAK-së për deputete, duke reaguar pas akuzave për vjedhje votash, ka kërkuar që të zbardhet vullneti qytetar.
Ajo ka mohuar që bashkëshorti i saj ose ndonjë familjar i saj, të jetë përfshirë në skandalin me manipulimin e votave, që u publikua në media, përcjell Bota sot.
Reagimi i plotë në Facebook:
Duartrokas vendimin e PZAP-it, për rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve me kusht në të gjitha komunat, dhe nga diaspora, për kandidatet e AAK-së. Le të zbardhet njëherë e mirë vullneti qytetar.
Ky rinumërim është një hap përpara zbardhjes së incizimit të inskenuar që pretendon përfshirjen e bashkëshortit tim në vjedhjen e votave! Përsëris, me bindje të plotë që as UNË, as BASHKËSHORTI, e ASNJË familjar e bashkëpunëtor i imi NUK është përfshirë në asnjë nga pretendimet publike që u bënë e po vazhdojnë të bëhen nga pseudo-portale të caktuara sipas porosive të caktuara, dhe t’i jepet fund shpifjeve, fyerjeve, dhe shantazheve në adresë timen dhe të familjes sime.