Pas raportimit në lidhje me skandalin e manipulimit të votave, që dyshohet të jetë kryer nga bashkëshorti i kryediplomatës, Meliza Haradinaj-Stublla kjo e fundit sot ka dhënë dorëheqje nga të gjitha postet përfshirë edhe ato të partisë.
Pas dorëheqjes nuk kurseu edhe akuzat ndaj anëtarëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Haradinaj-Stublla mes tjerash në reagimin e saj potencon se “Jam në paqe që po largohem nga prezenca toksike e disa njerëzve që AAK-në e bëjnë parti të pareformueshme, dhe kryetarin Haradinaj të izoluar”.
Në lidhje me këtë ka folur me nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj.
Lekaj është shprehur se Meliza Haradinaj-Stublla ka qenë e vlerësuar nga të gjithë anëtarët e AAK-së.
Sipas tij kryediplomatja ka pasur gjithmonë mbështetjen e Ramush Haradinajt.
“Ne Melizën e kemi vlerësuar për punë dhe bashkëpunim, por edhe për kontributin që ka dhënë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Sa i përket gjërave të tjera nuk e di se ku ka aludu ngase ajo ka pasur çdoherë mbështetjen e kryetarit z.Haradinajt dhe të gjitha strukturave të AAK-së për pozitat që ka ushtruar në Institucionet e Kosovës”, ka thënë Lekaj.
Në videon ekskluzive zbulohet se si afaristi Dardan Stublla bashkëshorti i Meliza Haradinajt-Stubllës, ka blerë me para katër komisionerë të cilët ua kanë vjedhur votat kandidatëve tjerë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe ia kanë regjistruar kësaj të fundit.
Meliza Haradinaj-Stublla, tashmë ka rënë nga lista e deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Kjo pas rinumërimit të votave me kusht, atyre me postë, dhe shtatë kutive të rinumëruara më parë në QNR, vendim ky që u mor pas publikimit të audio-incizimit.
Video ngrit dyshime për blerje të votave nga ana e Dardan Stubllës, bashkëshortit të Melizës.
Pretendime këto që i patën ngritur edhe dy kandidatet për deputete të AAK-së, Albana Bytyqi dhe Florentina Gjergjaj.
Ato dyshonin se votat u manipuluan në favor të ministres në detyrë të Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, e cila edhe sipas rezultateve të shpallura nga KQZ e kishte fituar postin e deputetes.
Por, pas rinumërimit del Meliza Haradinaj-Stublla, nga votat e rinumëruara deri më tani, më nuk është deputete, por këtë vend po e merr Albana Bytyqi.
Tashmë, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka emëruar zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Tahirin si ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Ky emërim vjen pas dorëheqjes së ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, thuhet në njoftimin e Qeverisë.