Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka folur për disa figura politike që ishin pjesë e partisë së tij, por edhe të tjerë për të cilët flitej se do të aderonin.
Hoxhaj u pyet se a kanë qenë të futar ose pse s’janë pjesë e PDK-së; ish-ambasadorja, Vlora Çitaku, shefi i stafit të presidentit Thaçi, Bekim Çollaku, u.d së ministrit të Jashtëm në Shqipëri, Gent Cakaj, ish-ambasadori Bernard Nikaj etj.
Kandidati i PDK-së për kryeministër tha se të gjithë këta kanë pasur ftesë në partinë që mori rreth 17 për qind të votave në zgjedhjet e fundit.
“Vlora ka pasur ftesë që të jetë pjesë e PDK-së. Bekim Collaku ka pasë ftesë të jetë pjesë e PDK-së. Gent Cakaj ka pasur ftesë të jetë pjesë e PDK-së. Bernard Nikaj gjithashtu ka pasur ftesë në PDK. Të gjithë këta kanë pasur ftesë të jenë pjesë e PDK-së”, është shprehur Hoxhaj.
Tutje, Hoxhaj tha se PDK-ja ka nevojë për ndryshime dhe reforma.
“Ne kemi shumë nevojë që në PDK të kemi ndryshime dhe të ruhet ajo që duhet të ruhet”, shtoi Hoxhaj.