Ish anëtarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Fiknete Bejta, ka reaguar pas skandalit të Meliza Haradinajt për “blerje” të votave.
Bejta në postimin e saj në Facebook, ka treguar se asaj i janë vjedhur votat në zgjedhjet e vitit 2019.
Për këtë, Bejta ishte quajtur njeri me mision.
“Nuk gëzohem pse ju ka ndodhur juve kjo, por çuditem se si një mendësi e re si ju, me dëshirë për të zhvilluar subjektin tuaj siç po thuani, nuk luftuat në 2019 si po luftoni sot për t’i korrigjuar “gabimet” e partisë atëherë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Postimi i plotë:
Pse të bësh zhurmë siç thoshit në 2019 për votën e vjedhur nuk paska qenë shërbim ndaj demokracisë̄?!
A veç pse u dogjët ju tash po derdhni lot krokodili për ”votat e vjedhura”?! Sot ju paska ra në mend që vota qenka mjet i shenjtë në demokraci!!! Sot nuk po u dëmtuaka imazhi i partisë?!
Dje kur unë isha e goditur nga “komisionarët”, ju nuk reaguat por më quajtët njeri me mision.
Nuk gëzohem pse ju ka ndodhur juve kjo, por çuditem se si një mendësi e re si ju, me dëshirë për të zhvilluar subjektin tuaj siç po thuani, nuk luftuat në 2019 si po luftoni sot për t’i korrigjuar “gabimet” e partisë atëherë.
Madje në 2019 nuk luftuat fare, por fatkeqësisht i duartrokitet të keqës që sot po e theksoni, e nëse do ta kishit luftuar të keqën dje e do kishit bërë luftë për votën e shenjtë, atëherë sot nuk do të kishit fare këtë brengë.