Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryeministër, Albin Kurti si dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani të enjten mbrëma u kanë dërguar letër partive politike për t’u takuar të hënën, më 15 mars për të diskutuar rreth konstituimit të institucioneve të vendit.
Nënkryetari i PDK-së, Sami Lushtaku ka thënë se ende nuk kanë vendosur nëse do të marrin pjesë ose jo në takim.
Ai ka treguar se sot do të mblidhet Kryesia e partisë dhe se çfarë do vendimi që do të merret do të bëhet publik.
“Unë jam duke shkuar në takim, ka mbledhje Kryesia e partisë dhe me siguri që vendimin do ta bëjmë publik, pra vendimin që ka me marrë Kryesia e partisë, tani për tani nuk kam qëndrim”, ka deklaruar Lushtaku.
I pyetur se a do të diskutohet në mbedhje të Kryesisë edhe kjo çështje, ai ka thënë se nuk e din një gjë të tillë.
“Realisht, nuk e di sepse ne pothuajse kemi çdo ditë takime të rregullta dhe ky takim varet sa është interes I joni me diskutu apo jo këtë çështje”, është shprehur Lushtaku.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më 4 mars ka shpallur rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Sipas rezultatit përfundimtar, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 ulëse në kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës, 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë tetë deputetë.
Për formim të Qeverisë në Kosovë duhen të sigurohen 61 vota në Kuvendin e Kosovës.
Kurti ka thënë se qeverinë synon ta formojë me disa parti të komuniteteve jo-serbe.
Sa i përket pozitës së presidentit, kandidatët për këtë pozitë duhet të kenë 80 vota për të fituar ulësen në presidencë.