Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi pritet të jetë kandidati tjetër për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kështu kanë bërë të ditur burime brenda kësaj partie.
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi pritet të përballet edhe me disa emra tjerë të fuqishëm për të marrë postin e kryetarit të partisë për dy vitet e ardhshme.
Burimet kanë thënë se anëtari i Kryesisë së LDK-së, Kujtim Shala është duke tentuar ta ndalë Abrashin për të kandiduar për kryetar.
Sondazh online: Kush duhet të bëhet kryetar i LDK-së?
Pasi siç thonë këto burime, me kandidimin e Abrashit, do të humbë vota kandidati tjetër për këtë pozitë, Lumir Abdixhiku.
“Arban Abrashi pritet që nesër ta dorëzojë kandidaturën e tij për kryetar të LDK-së. Tentim për ta ndalur Abrashin është duke bërë, anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Kujtim Shala”, ka thënë ky burim.
Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri, Anton Quni e Besian Mustafa janë emrat të cilët kanë zyrtarizuar deri më tani kandidaturat e tyre për të udhëhequr me partinë më të vjetër në Kosovë.
LDK-ja të dielën e 14 marsit përmes Kuvendit të saj pritet të zgjedh kryetarin dhe Kryesinë e re të partisë pas dorëheqjes së Isa Mustafës nga kjo pozitë.
Dorëheqja e Mustafës erdhi vetëm pak ditë pas rezultatit zgjedhor të 14 shkurtit, ky LDK-ja doli partia e tretë më e votuar, duke i përgjysmuar votat e saj në krahasim me zgjedhjet e mbajtura në vitin 2019.