Kryetari i degës së LDK-së në Gjermani, Osman Ferizi, ka deklaruar se kanë bërë kërkesë që të dielën në Prishtinë të mos mbahet kuvend zgjedhor në LDK, por kuvend pune, ku siç tha, të parashihej ndryshimi i statutit e pikave që kanë sjellë pakënaqësi brenda anëtarëve të LDK-së dhe disa parime që duhen ndryshuar që të ketë proces të besueshëm për anëtarët e LDK-së.
Ferizi u shpreh se Isa Mustafa ishte dashur shumë më herët të jepte dorëheqje, sepse, sipas tij, kjo kryesi e LDK-së e ka monopolizuar partinë dhe se janë disa individë që kanë vendosur për procesin politik në këtë periudhë dhe për këtë pasojë LDK-ja ka rënë.
Ai tha se dega e tyre në Gjermani nuk janë përcaktuar për ndonjë kandidat që është në garë për ta marr postin e të parit të LDK-së, ndërkaq që ai si individ po.
“Mendoj se Anton Quni është kandidati më i qëlluar, ai që do ta bashkojë partinë, do të jetë garant i ofrimit të vlerave të LDK-së”.
“Por nëse bëhet fjalë në mes të Abdixhikut dhe Hazirit, unë preferoj kandidatin më të ri, që nuk e ka një afërsi me disa individë të subjekteve të caktuara, apo që kanë lidhje biznesore. Më i preferuar kishte me qenë Abdixhiku, edhe si kuadër edhe si ekspert i ekonomisë, etj.”
Përfaqësuesi i degës së LDK-së në Gjermani po ashtu deklaroi se bashkëpunimi me qendrën nuk ka qenë i nivelit të dëshiruar, përjashtuar këtu periudhën e zgjedhjeve.
“Nga ana jonë nuk kanë munguar raportet, por qëndrimi ynë për ngjarjet në qendër atje nuk i kanë pëlqyer dhe e kanë mbajtur një qëndrim abuzues ndaj nesh”.
“I kemi ftuar disa herë në takime këtu, nuk kanë ardhur. Kanë menduar që votuesit besnikë të LDK-së gjithmonë do t’i japin vota, por zgjedhjet e treguan të kundërtën”, u shpreh Ferizi.