Porosia e Ramush Haradinajt pas certifikimit të zgjedhjeve

Aktuale

Porosia e Ramush Haradinajt pas certifikimit të zgjedhjeve

Nga: N.Sh Më: 13 mars 2021 Në ora: 13:22
Ramush Haradinaj

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas certifikimit të rezultateve zgjedhore të 14 shkurtit.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook, thotë se Kosova zhvilloi zgjedhje me standarde të larta demokratike.

AAK-ja në këto zgjedhje është votuar nga 62.111 votues të cilët Haradinaj ka falënderuar.

“Ju, që përkundër propagandave të qarqeve të ndryshme me të cilat vazhdimisht u sulmua Aleanca, e që nuk u argumentuan asnjëherë, vazhduat të na besoni, ashtu siç e kthyem besimin tuaj me punë, duke i dhënë vendit Ushtrinë, tapitë e Trepçës, pavarësinë energjetike e shumë të tjera, vazhdoni të besoni në ne”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Ai thotë se, gjatë historisë Aleanca ka dëshmuar konsistencë në temat e interesit nacional.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës

Vendi ynë zhvilloi zgjedhje me standarde të larta demokratike, që ngritën pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Sot u certifikuan rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Falënderoj të gjithë aktivistët dhe strukturat e Aleancës, për punën e vazhduar dhe të palodhur. 

Falënderoj kandidatët tonë, nga vendi e diaspora, shumë prej tyre garues për herë të parë, të rinj e të reja që pasuruan me dijen e tyre organizatën tonë të përbashkët politike.

Falënderoj veçanërisht, 62.111 votuesit nga Kosova e diaspora, burra e gra që i besuan Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ju, që përkundër propagandave të qarqeve të ndryshme me të cilat vazhdimisht u sulmua Aleanca, e që nuk u argumentuan asnjëherë, vazhduat të na besoni, ashtu siç e kthyem besimin tuaj me punë, duke i dhënë vendit Ushtrinë, tapitë e Trepçës, pavarësinë energjetike e shumë të tjera, vazhdoni të besoni në ne.

Aleanca që gjatë tërë historisë së saj politike, ka dëshmuar konsistencë në temat e interesit nacional, do të vazhdojë njëjtë dhe besimi juaj do të rezultojë edhe me më shumë punë të mira për shtetin tonë dhe të ardhmen e ndritur të tij dhe për mirëqenien e të gjithë qytetarëve.

Zoti e bekoftë Kosovën!

RH

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat