Pas certifikimt të zgjedhjeve nga KQZ, Vetëvendosje është partia e parë me 50.28%.
Për këtë, Galuk Konjufca përmes një shkrimi në Facebook, ka falënderuar të gjithë qytetarët që me votën e tyre soll[n ndryshimin e madh në vend.
“Vota juaj e përgjegjshme ia dha një drejtim të ri politik e fort të nevojshëm atdheut tonë”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
Postimi në Facebook:
Qytetarë të dashur,
Ne e lamë pas një vit të vështirë. Bota u pllakos nga një pandemi e pazakontë. Jetët tona ndryshuan rrënjësisht. Ekonomia në çdo cep të globit u godit rëndë.
Në të njëjtën kohë, përkundër kësaj fatkeqësie, qytetarët tanë ishin plot shpresë për shkak se më 3 shkurt 2020 u zgjedh një qeveri e shumëpritur. Ama qe veprim fort i paskrupullt rrëzimi i qeverisë Kurti mu në mes të pandemisë, veç 50 ditë pasi e filloi punën e mirë. Ishte rast i pashembullt kur lufta për pushtet kalon çdo kufi e imagjinatë dhe nuk e ka as respektin minimal njerëzor për shëndetin publik.
Kjo luftë për pushtet shkoi aq larg sa që shtetit tonë ia dha njollën më të pamendueshme të turpit: një qeveri të paligjshme për herë të parë në historinë e Kosovës.
Prandaj ky rezultat zgjedhor i përmasave të referendumit dhe kjo fitore plebishitare e popullit për ndryshim, ishin të domosdoshme.
I falënderoj nga zemra dhe me respekt të thellë të gjithë qytetarët e vendit tim për sjelljen e lartë demokratike dhe ndryshimin e madh që e sollën përmes zgjedhjeve të lira. Vota juaj e përgjegjshme ia dha një drejtim të ri politik e fort të nevojshëm atdheut tonë.
Na priftë e mbara!