Kryetari i sapo zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është zotuar se do ta rikthejë LDK-në si forcë kryesore politike në vend.
“Do të rikthehemi si forcë kryesore politike”, tha ai.
Para delegatëve, të cilët i besuan atij, Abdixhiku kërkoi unitet dhe bashkim në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ai shtoi se idetë e kësaj partie kanë nisur me ish-presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova dhe vazhdojnë të jenë aktuale duke i qëndruar kohës.
“Sot po e hapim një faqe të re për ta rikthyer LDK-në në vendin e vet. Nga vetvetja duhet të nisim rikthimin tonë të madh. Idetë e LDK-së i qëndrojnë kohës, e që kanë nisur nga presidenti historik Ibrahim Rugova. Prandaj rikthimi ynë është çështje kohe”, shtoi ai.
Kreu i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku kritikoi edhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se politikat e saj të majta synojnë zhbërjen e Kosovës.