Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se sot ka nisur ditën si kryetar i partisë me nderimin e presidentit Rugova, themeluesit të LDK-së e themeltarit të Republikës së Kosovës.
Kryetari i zgjedhur i LDK-së ka thënë se e shkuara i nderon e i motivon, përcjell “Bota sot”.
Tutje, ka paralajmëruar partitë kundërshtare duke thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës nga sot ka filluar përgatitje për rikthimin e madh.
Ja shkrimi i tij:
Mburremi me të shkuarën; ideojmë të ardhmen.
Sot ditën e parë e nisa në nderim të Presidentit Ibrahim Rugova; themeluesit të LDK-së e themeltarit të Republikës sonë.
E shkuara na nderon e motivon. Është standard i lartë për secilin prej nesh. Por e shkuara s’na mjafton sot. Sot përgatitemi për sfidat e kohës. Për stabilitet politik e konstruktivitet institucional; për dëgjim të vullnetit qytetar; për opozitë të drejtë, origjinale e të guximshme. Nga sot përgatitemi për rikthimin e madh.