Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku do të mbajë sot një takim me deputetët e zgjedhur të partisë së tij.
Takimi do të fillojë nga ora 14:00 dhe pritet të mbahet në selinë qendrore e LDK-së në Prishtinë.
Temë e diskutimit do të jetë konstituimi i institucioneve, ndërkaq takimi me deputetët po mbahet vetëm një ditë para takimit që është paralajmëruar se do të mbahet me U.D të Presidentes, Vjosa Osmani dhe kandidatin për kryeministër të LVV-së, Albin Kurti.
Ndryshe, një ditë më parë është mbajtur edhe mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të legjislaturës së shtatë, ndërsa është vendosur që seanca konstitutive të mbahet më 22 mars, në ora 10:00.
Pas konstituimit të Kuvendit, pritet që ushtruesja e detyrës së presidentit të dërgojë letër për mandatarin, ndërsa pas kësaj të mbahet edhe seanca e Kuvendit për votimin e Qeverisë.