(E plotësuar 22:25) - Partia Demokratike e Kosovës nuk e mbështet kandidaturën e Vjosa Osmanit për kryetare të shtetit.
Këtë e ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së partisë, Enver Hoxhaj pas mbledhjes maratonike të Këshillit Drejtues të PDK-së.
"Këshilli drejtues në mënyrë unanime nuk e mbështet kandidaturën e zonjës Osmani. Një vendim të tillë e mbështet edhe kryesia", tha Hoxhaj.
Hoxhaj po ashtu ka bërë të ditur se Lirak Çelaj dhe Xhevahire Izmaku kanë kërkuar dorëheqjen e kryesisë, por një kërkesë e tillë nuk është përkrahur nga anëtarët e tjerë të këshillit.
I pyetur se a do të qëndrojnë deputetët e PDK-së në sallë ditën e votimit të shefit të ri të shtetit të Kosovës, Hoxhaj ka thënë se “nuk e kemi profesion pjesëmarrjen, por politikën”.
***
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Enver Hoxhaj ka bërë të ditur se kjo parti në mënyrë unanime nuk e mbështet kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente të Kosovës.
Ai këto komente i bëri pas takimit të Këshillit Drejtues të PDK-së që sapo ka përfunduar.
Këshilli Drejtues i PDK-së kishte nisur në ora 17:00.
***
Ushtruesi i detyrës së Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se në mbledhjen e Këshillit Drejtues është duke u analizuar rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Ndërsa sa i përket çështjes së votimit të Vjosa Osmanit për kryetare të shtetit, ai tha se pret vendim nga Këshilli.
“Unë kam insistuar që të deklarohen, është në detyrën e Këshillit që të merr vendim. Deri më tani ka pasur dy-tri debate por jo diçka përmbajtësore. Ajo çfarë kam bërë është që vendimmarrjen e kam sjell në Kryesi. Kauza e tyre është se çka duhet të bëjë PDK-ja që të ndryshoj dhe të reformohet. Në rezultatin zgjedhor të 14 shkurtit është duke u analizuar, shumë shpejt do të dal edhe me një platformë për ngritjen e PDK-së. Mbledhja do të zgjasë, pasi ka shumë folës”, tha Hoxhaj, i cili pas kësaj deklarate u kthye në sallën ku po mbahet takimi.
Mbledhja e Këshillit Drejtues që po mbahet në hotel “Emeral”, ka filluar në ora 16:30.