Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë për BBC, ku ka folur për çështje të ndryshme, duke përshirë këtu, krimin e korrupsionin, luftën e UÇK-së, etj.
Për deklaratën e Osmanit reagoi Partia Demokratike e Kosovës, për këtë është kundërpërgjigjur Egnesa Vitia, e cila është menaxhere e zyrës së Ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës.
Ajo në postimin e saj në Facebook, ka shpjeguar se intervista e Osmanit duhet të shihet si ngritje e imazhit të Kosovës.
Po ashtu, Vitia ka theksuar se shteti nuk ndërtohet me rrena e as me retorikë boshe patriotike.
“Krimi e korrupsioni i përmendur edhe në raporte ndërkombëtare, duhet te luftohet ndaj të flasësh për ta është shërbim në funksion të së mirës së shtetit”, ka shkruar Vitia në Facebook.
Postimi i plotë:
Leximi i drejtë i intervistës së u.d. Presidentes Osmani në BBC është në funksion të ngritjes së imazhit të Kosovës.
Mbrojtja e luftës për liri, luftës së UÇK-së, thirrja për përgjegjësi të Serbisë e për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, përmendja e të gjitha krimeve të Serbisë në Kosovës, përfaqësimi i këtij regjimi me ministra të kohës së Millosheviqit, si dhe potenciali i jashtëzakonshëm i rinisë së Kosovës janë vetëm disa aspekte të një interviste të guximshme ku e vërteta për Kosovën mbrohet në planin ndërkombëtar me argumente konkrete.
Krimi e korrupsioni i përmendur edhe në raporte ndërkombëtare, duhet te luftohet ndaj të flasësh për ta është shërbim në funksion të së mirës së shtetit.
Thjesht ngaqë shteti nuk ndërtohet me rrena e as me retorikë boshe patriotike.
Agumenteve të prezantuara në BBC, nuk mund t'i vihen përballë rrenat dhe as tendencat për devijim të përgjigjeve.
Për Kosovën ka veç një të vërtetë, e cila është mbrojtur dhe thënë në mënyrë të saktë nga zonja Osmani në po këtë intervistë.