Tash një vit, 17 qytetarë të Kosovës ishin infektuar me koronavirus.
Nga profesionistët shëndetësorë konsiderohej të kishte filluar faza kritike e përhapjes së virusit, prandaj edhe drejtuesit e qeverisë ishin në stres.
Shefi i atëhershëm i vendit, Hashim Thaçi, kishte mbledhur mbrëmjen e 17 marsit Këshillin e Sigurisë për t’u konsultuar rreth shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme.
Por, kundër këtij propozimi ishte kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, qëndrimin e të cilit e deklaroi zëvendësi i tij, Haki Abazi.
Megjithatë dikush nga Qeveria Kurti e që ishte Agim Veliu, Ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, ishte pro propozimit të Thaçit.
Kjo deklaratë nuk i pëlqeu Kurtit, sidomos që vinte nga partneri i koalicionit. Në fakt, qëndrimi i Veliut çoi në shkarkimin e tij, por edhe në rrëzimin e Qeverisë Kurti.
E krahas këtyre kontradikatve dhe mospajtimeve ndërqeveritare, situata me COVID-19 vinte duke u përkeqësuar.
Kështu qeveria mori vendim të kufizojë lëvizjen për qytetarët e të vë orën policore, menjëherë pas vdekjes së 85 vjeçarit që u bë viktima e parë në Kosovë e virusit famëkeq.
Në anën tjetër, Thaçi vendimin e qeverisë për të kufizuar lëvizjen e kishte dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
Kjo e fundit vendosi në favor të shefit të shtetit pasi vendimi i qeverisë për orën policore doli të jetë antikushtetues, por megjithatë Kushtetuesja nuk e shfuqizoi atë deri më 13 prill.
Në fakt nga 13 prilli ishte larguar vendimi i kufizimit të lëvizjes nga ana e Qeverisë së Kosovës, por të njëjtat kufizime që Kushtetuesja i vlerësoi se nuk janë në përputhje me aktin më të lartë juridik vazhduan përsëri – veçse të marra jo nga ekzekutivi, por nga Ministria e Shëndetësisë.
Por megjithë mospajtimet në këtë drejtim, infektologu, Shemsedin Dreshaj, thotë se izolimi dhe mbyllja para një viti ishte e nevojshme.
E tash që konkretisht janë 692 raste të të infektuarve më shumë se sot një vit, Dreshaj kërkon nga qytetarët kujdes, sidomos në masat obligative kundër COVID-19.
E vetë qytetarët thonë se janë të gatshëm të respektojnë masat, por se ata nuk duan që vendi të mbyllet sikur tash një vjet.
Më 4 majin e një viti më parë në Kosovë kishin filluar lehtësimet e para të masave që u zhvilluan në tri faza, derisa aktualisht jeta në vend është duke u zhvilluar normalisht ani se në ditë numri i të infektuarve kalon numrin 700.