Infektologu Shemsedin Dreshaj ka folur për arsyet se pse i ka hyrë politikës. Ai ka thënë se tërë kontributin e tij do të japë në shërbim të popullit.
Ai, në një intervistë në Edicionin Special, tha se i tërë angazhimi i tij si deputet i AAK-së do të jetë në përmirësim të arsimit dhe shëndetësisë në Kosovë.
“Sipas informatave që i kam, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka hapur dyert për personat që kanë përvojë, dije dhe guxim – të cilët pa marrë parasysh subjektin politik do të bëjnë më të mirën e mundshme për vendin”.
“Ju e keni dëgjuar edhe kryetarin Ramush Haradinaj kur ka thënë që unë kam hyrë në Aleancë me duar të lira. Pra, kontributi im, qoftë në segmentin e shtetësisë, të shëndetësisë apo në atë të arsimit, i tërë kontributi im do të jetë në shërbim të popullit”.
“Tërë dijen time, tërë bagazhin tim akademik dhe profesional do t’i shfrytëzoj kryesisht në dy segmente, që segmentin e arsimit dhe të shëndetësisë në Kosovë të arrijmë t’i përmirësojmë, por edhe të ofrojmë një shërbim të kënaqshëm për nxënësit dhe studentët tanë, por edhe për nevojat e pacientëve”.
Shemsedin Dreshaj arriti që të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës, pasi atij ia liroi vendin bashkëpartiaku i tij Daut Haradinaj.