​Abdixhiku: LDK synon shmangien e zgjedhjeve, presidenti t’i përfaqësojë të gjitha partitë politike

Aktuale

​Abdixhiku: LDK synon shmangien e zgjedhjeve, presidenti t’i përfaqësojë të gjitha partitë politike

Më: 18 mars 2021 Në ora: 14:04
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se në vikend do të definojnë qëndrimin për postin e presidentit.

Ai tha se do të jenë konstruktiv, mirëpo me synimin që institucionet e formuara të jenë demokratike dhe t’i përfaqësojnë gjitha partitë politike, e në veçanti i pari i shtetit.

Pas takimit të nesërm me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, kreu i LDK-së tha se do të formojë kryesinë e partisë dhe do të dalin me qëndrim zyrtar për konstituimin e institucioneve.

Abdixhiku: LDK synon shmangien e zgjedhjeve të reja

“Nesër e kemi takimin bilateral me palën tjetër. Po, besoj që gjatë vikendit do të formojmë organet e partisë, siç është kryesia e LDK-së. Aty e marrim vendimin për të gjitha çështjet në koordinim me grupin parlamentar të LDK-së. Ajo çfarë kam thënë dhe iu lus ta transmetoni drejt se LDK-ja synon të shmangë zgjedhjet. LDK synon të kontribuojë në formimin e institucioneve dhe LDK synon që këto institucione të jenë demokratike dhe t’i përfaqësojnë të gjitha partitë politike, në veçanti pozita e presidentit. Për çështja tjera do ta kuptoni pas takimit të nesërm, kemi synime konstruktive”, tha Abdixhiku.

I pyetur nga KosovaPress se a do ta propozojnë ndonjë emër për president të vendit, Abdixhiku tha se nuk kanë diskutuar lidhur me këtë çështje në organet e partisë.

Abdixhiku: Kësi ide nuk janë diskutuar

“Nuk mund të jap detaje dhe kësi ide nuk kemi diskutuar. Të presim takimin e parë me ta, është sjellje e mirë prej pozitës”, tha ai.

Lidhur me unitetin e grupit parlamentar në momentin e votimit të presidentit të vendit, Abdixhiku tha se i takon shpesh të njëjtin dhe se do të jenë unikë në vendimmarrje.

Abdixhiku: Deputetët e partisë i takoj shpesh

“Për të qenë unik rreth diçka, duhet të definojmë se çfarë është ajo. Ne ende nuk e kemi kryesinë e partisë për të marrë vendimin se cila është rruga jonë përpara. Këtë rrugë sipas rregullave statutare të LDK-së, komunikojmë bashkë me GP të LDK-së. Deputetët e partisë sime i takoj shpesh, marrë vendime nga ta. Ata përfaqësojnë votuesin e LDK-së dhe zërin tonë parlamentar. Me kohë do të qartësojmë pozicionin tonë zyrtar”, tha Abdixhiku.

Këto qëndrime, Abdixhiku i dha pas takimit me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë Veriore, Artan Grubi.

I pyetur nga KosovaPress për sugjerimet e tij karshi liderëve politikë në Kosovë lidhur me konstituimin e institucioneve, Grubi tha se apeli i tyre është që ketë partneritet dhe bashkërisht të ecin përpara gjitha partitë.

Grubi: Institucionet e Kosovës të organizojnë partneritet dhe të ecin përpara

“Ne jemi të interesuar për institucione stabile dhe partneritet të sinqertë të ndërsjellët me Kosovën. Gjithsesi që kemi nevojë për një qeveri të etabluar që do të organizojmë mbledhjen e përbashkët të qeverisë sa më herët që të jetë e mundur...Apeli jonë për institucionet në Kosovës është që të organizojnë partneritet dhe bashkërisht të ecin përpara”, tha ai. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat