PDK-ja do të mblidhet për të vendosur nëse do t’ia bëjnë kuorumin Vjosa Osmanit

Aktuale

PDK-ja do të mblidhet për të vendosur nëse do t’ia bëjnë kuorumin Vjosa Osmanit

Më: 18 mars 2021 Në ora: 14:28
Sami Lushtaku

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës do të mblidhet edhe njëherë për të vendosur se a do t’ia bëjë kuorumin Vjosa Osmanit për t’u zgjedhur presidente e Kosovës.

Kjo parti gjatë ditës së djeshme ka mbajtur mbledhjen e Këshillit Drejtues me orë të tëra ku në këtë takim është vendosur që kjo parti mos t’a votojë Vjosa Osmanin për presidente.

Mirëpo, nuk është bërë e qartë ende nëse PDK-ja do të qëndrojë në sallë për t’ia siguruar kuorumin Osmanit.

Nënkryetari i PDK-së, Sami Lushtaku në një prononcim ka thënë se vendimi për këtë çështje do të merret pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së.

“Të jem i sinqertë dje është diskutuar shumë çka, por ne nuk kemi marrë ndonjë vendim se a do të qëndrojmë në sallë apo jo. Unë besoj që pas takimit që e kemi me Kryesinë e partisë me siguri se kemi me bë të qartë se a do të rrin grupi parlamentar i PDK-së në sallë apo jo”, ka deklaruar Lushtaku.

Ai ka bërë të ditur se tashmë Vjosa Osmani nuk do t’a ketë votën e PDK-së për presidente.

Ndërsa, i pyetur se kur do të mblidhet Kryesia për të diskutuar për këtë, Lushtaku ka thënë se kjo pritet të ndodhë së shpejti.

“Kryesia do të mblidhet së shpejti”, është përgjigjur shkurt Lushtaku, pa dashur të tregojë datën.

Gjatë ditës së sotme, kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj ka deklaruar se a qëndrojnë apo jo në sallë gjatë votimit për Vjosa Osmanin nuk ka kurrfarë vlere.

“A qëndron apo nuk qëndron në sallë nuk ka kurrfarë vlere. Kandidatura e zonjës Osmani është e papranueshme, nuk e reflekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Ka qenë figurë më shumë përçarëse në raport me qytetarët e Kosovës, në raport me ish-subjektin e saj që e ka shndërru në viktimë të këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Hoxhaj.

Në media është raportuar se seanca për zgjedhjen e presidentit do të mbahet më 19 prill.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat