Lumir Abdixhiku flet pas takimit me Kurtin e Osmanin

Aktuale

Lumir Abdixhiku flet pas takimit me Kurtin e Osmanin

Nga: G.B Më: 19 mars 2021 Në ora: 14:45
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku.

(E plotësuar 16:50) - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka thënë të premten, se javën e ardhshme do takohet me pretendenten për pozitën e presidentit në Kosovë Vjosa Osmani, për të diskutuar pozicionin e saj karshi disa çështjeve.

Ai i ka bërë këto komente pas takimit që ka pasur me ushtruesen e detyrës së presidentit Vjosa Osmanin dhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin, partia e të cilit ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.

Ai ka përmendur se LDK-ja është e interesuar për qasjen e Osmanit ndaj partisë që drejton Abdixhiku, ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, partive opozitare dhe nismës së saj të paralajmëruar politike.

Sipas tij, LDK-ja është e interesuar për një kandidat për president, që përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Kemi përfunduar takimet me LVV-në, sepse pozicionet tona janë të qarta. Ne jemi në opozitë, ata janë në pozitë. Ne do të jemi opozitë aktive dhe alternativë e re në të ardhmen”, ka thënë Abdixhiku pas takimit.

Ai ka thënë se LDK-ja do të marrë pjesë në seancën e së hënës kur pritet të konstituohet legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës, mirëpo nuk ka dhënë më shumë hollësi për seancat tjera.

Sipas Abdixhikut gjithçka do të varet nga vendimet që marrin organet e partisë së LDK-së.

“Nesër e kemi mbledhjen brenda partisë dhe do ta formojnë kryesinë e re. Unë do të prezantoj detajet e këtij takimi”, ka thënë mes tjerash ai.

Abdixhiku ka përsëritur sërish të premten se partia që drejton ai nuk është e interesuar të shkaktojë destabilizim politik.

Për dallim nga Abdixhiku, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj ka qenë të enjten më i drejtpërdrejtë sa i përket kandidaturës së Osmanit për presidente.

Ai e ka quajtur Osmanin figurë përçarëse dhe ka thënë se PDK-ja nuk ka votë për të.

Po të enjten, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë se partia që drejton ai, do të jetë pjesë e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Për secilën seancë tjetër, Haradinaj ka thënë se grupi parlamentar i AAK-së do të diskutojë veç e veç.

Ditë më parë, Haradinaj ka thënë se është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje që t’i sigurojë votat e nevojshme në kuvendin e ri, për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

***

Lumir Abdixhiku është deklaruar pas takimit me Kurtin e Osmanit.

Ai tha se sot ka përfunduar takimi i tyre me VV-në dhe se do të jenë opozitë, ndërsa për Osmanin si presidente, tha se do të kenë takim me të pas formimit të qeverisë, përcjell Bota sot.

“Këtu përfundojnë takimet me VV-në. VV është pozitë, ne jemi në opozitë. Do të jemi një alternativë e re në politikë. Jemi dakorduar që të takohemi me pretendenten për presidente, Vjosa Osmani. Pas zgjedhjes së qeverisë e presim ftesën nga ajo”, ka thënë Abdixhiku.

Ai ka thënë se takimi do të mbahet gjatë javës së ardhshme.

Nis takimi i Kurtit dhe Osmanit me Abdixhikun

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti dhe kandidatja për Presidente, Vjosa Osmani kanë nisur takimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ata do të flasin për formimin e institucioneve.

Takimi po mbahet në ndërtesën e Kuvendit.

Ky është takimi i fundit, në kuadër të diskutimeve që kanë pasur fituesit e zgjedhjeve të 14 shkurtit me partitë parlamentare.

Kreu i LDK-së është shoqëruar në këtë takim nga Kujtim Shala./Bota sot

Image
Image
comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat