Sekretari i degës së PDK-së në Prishtinë, Arben Gecaj ka hedhur kritika në drejtim të këtij subjekti politik.
Gecaj, përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se reformat në PDK mund të bëhen vetëm atëherë kur ky subjekt politik të merret me tema jetike si punësimi, barazia sociale, nepotizmi e keqmenaxhimi.
Ai ka theksuar se dialogu, anëtaresimet, e kaluara e lavdishme më nuk janë tema të mobilizimit të masave.
Reagimi i plotë:
Problemi në shoqëri me një parti fillon kur e humb betejen etike, pra atë morale për të fol për tema jetike, si punësimi, barazia sociale, nepotizmi e keqmenaxhimi. Pra, kur në parti nuk ka debat e diskurs për këto tema e qytetarët tash e tutje votojnë vetëm për këto çështje është problematike të kthehesh në lojë të madhe.
Reformat në parti, e pikërisht në PDK, mund të bëhen vetëm atëherë kur këto tema bëhen bosht i debatit. Dialogu, antarësimet, e kaluara e lavdishme më nuk janë tema të mobilizimit të masave.
Reforma nuk bëhet me koncepte e plane të shkruara bukur, ajo e ka njeriun, individin, pra personin si subjekt, i cili ka gabuar si dhe zëvendësimin e tij me dikënd që ka atribute tjera, pra dikënd me norma e vlera konkuruese.