Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka prezantuar anëtaren më të re në këtë parti.
Është aktivistja Sibel Halimi, ajo e cila që nga dje i është bashkuar LDK-së, përcjell Bota sot.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku i ka uruar mirëseardhje Halimit, duke thënë se çdo herë e ka admiruar për përkushtimin e madh.
Postimi i Abdixhikut në Facebook:
Sibel Halimin e njoh si aktiviste e veprimtare të dalluar për të drejtat e njeriut e në veçanti për të drejtat e grave. Me angazhimin e saj tash e mbi një dekadë, ajo ka arritur që çështjet me rëndësi për barazi e avancim të gruas kosovare t’i vë në fokus të debatit publik. E kam admiruar gjithnjë për përkushtimin e madh.
Nga dje, ajo është anëtare e re e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Është nder ta kemi në mesin tonë.
Sibeli është doktorante në Departamentin e Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës me temën “Trupi si konstrukt shoqëror: Drejt sociologjisë së trupit në Kosovë”. Si ligjeruese në Fakultetin Filozofik, ajo ishte edhe anëtare e bashkëudhëheqëse e Shoqatës së Filozofëve në Kosovë.
Sibeli merret edhe me letërsi e publicistikë. Si sociologe ajo boton në vazhdimësi artikuj që trajtojnë problemet e shoqërisë kosovare dhe opsionet për tejkalimin e tyre. Deri tashti ka të botuar përmbledhjen eseistike “Shoqëri në Alarm” (2017) si dhe tre libra me poezi: “Kopshti i Mëkateve” (2002), “Qenia nuk banon këtu” (2013) dhe “Me ekzistu është vetë kuptimi” (2020).
Sibel, mirë se vjen!