Nënkryetarja e re e Lidhjes Demokratike të Kosovës Shqipe Mjekiqi, ka folur për herë të parë, pas marrjes së këtij posti.
Mjekiqi ka thënë se koha në të cilën i është bashkuar LDK-së nuk është më e mira për të, pasi në zgjedhjet e fundit, kjo parti mori përqindjen me të ulët të votave që nga themelimi i saj.
Por, ajo ka theksuar se tani është koha që të kontribuojnë për rikthimin e LDK-së në piedestal, aty, ku sipas saj, e ka vendin, përcjell Bota sot.
Ajo e ka falënderuar kryetarin Lumir Abdixhiku për përkrahjen.
Postimi i saj i plotë në Facebook:
Dje, me propozimin e Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Lumir Abdixhiku, dhe me mbështetjen e Këshillit të Përgjithshëm jam zgjedhur Nënkryetare e partisë.
Koha në të cilën unë po i bashkohem LDK-së nuk është më e mira për të. Në zgjedhjet e fundit LDK mori përqindjen me të ulët të votave që nga themelimi i saj para 30 vjetësh. E kuptoj që shumë prej jush ndiheni të zemëruar me këtë rezultat.
Por, është koha më e mirë për mua dhe shumë të tjerë të kontribuojmë në rikthimin e LDK-së në piedestal, aty ku e ka vendin. Spektri politik në Kosovë është i mangët pa Lidhjen Demokratike të Kosovës, për zhvillimin e së cilës punuan me shumë mund e sakrificë gjenerata të shumta nën udhëheqjen e Presidentit Ibrahim Rugova.
Nëpërmjet përfaqësimit në LDK, nën udhëheqjen e Lumirit, unë do të mundohem t’i shërbej popullit dhe shtetit të Kosovës.
Ju faleminderit për mbështetjen.
(Photo credits: Lidhja Demokratike e Kosovës)