Zyrtare: Albin Kurti kryeministër i ri i Kosovës

Aktuale

Zyrtare: Albin Kurti kryeministër i ri i Kosovës

Më: 22 mars 2021 Në ora: 16:05

(E plotësuar 20:14) - Kryeministri i ri i cili u zgjedh me 67 vota, Albin Krti mbajti fjalën përfundimtare pasi u zgjedh Kryeministër i Kosovës.

Ai tha se është këtu për të  falënderuar secilin qytetarë që kanë votuar lëvizjen Vetëvendosje dhe subjektet tjera politike.

“Deri dje kam qenë kandidat i një subjekti, ndërsa  sot jam Kryeministër i të gjithë qytetareve. Këto zgjedhje kanë qenë historike dhe përgjegjësia është historike. Jam i përkulur përpara jush, secilit qytetarë që besuan në secilin prej nesh që të sjellin barazi, ku secili fiton atë që i takon. Pritjet janë të mëdha dhe përgjegjësia është shume e madhe, secili nga ne duhet ta ndjejmë këtë peshë të përgjegjësisë dhe i nënshtrohet rregullave të njëjta”, theksoi Kurti.

Ai tha se kjo është përgjegjësi e madhe dhe nga ata kjo kërkohet përgatitje shumë e madhe

“Për deputetët e pozitës, mos e merrni si të mirëqenë dhe mos jeni arrogant ndaj opozitës, sa vlen kjo për deputetin vlen edhe për mu dhe kabinetin dhe qeveritarët, qytetarë janë ata që na zgjedhin dhe ata na heqin, këtë kurrë mos e harroni”, theksoi ndër të tjera Kurti.

***

Pas fjalës së shefave të grupeve parlamentare e disa deputetëve të opozitës është votuar Qeveria e re.

Me 67 vota për, 30 kundër pa asnjë abstenim është zgjedhur Qeveria Kurti.

Të pranishëm ishin 107 deputetë të Kuvendit të Kosovës.

***

Tahiri: Refuzojmë në çfarëdo forme këtë kulturë politike të njëanshme

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka adresuar varg akuzash ndaj fituesve të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se kjo seancë ka filluar me një rend jodemokratik nga fituesi i zgjedhjeve të cilin e akuzoi për diskurs publik e politik përjashtues.

Tahiri: Fituesi ka zgjedhur procedurën para përmbajtjes

“Kjo seancë që do duhej të ishte konstituive, solemne, e mbi të gjitha të diskutohej platforma e kryeministrit në ardhje e zotëri Kurti, ka filluar me një rend jo demokratik. Kjo për neve nuk është befasi, pasi fituesi që nga fillimi ka ndërtuar një diskurs zgjedhur publik e politik përjashtues. I shtyrë nga logjika popullsitë pjesë e së cilës ishte edhe trumbetimi i triumfalizmit fituesi ka zgjedhur procedurën para përmbajtjes ku nuk kemi përmbajtje. Ku kemi një ekspoze por nuk kemi program. Kemi ekspoze ku flitet edhe për praktikat dhe kauzat të cilat Kurti i ka sulmuar më së shumti atë të pakos së Ahtisarit. Fituesi ka zgjedhur të veprojë shkëputur e ndaras para se të veprojë bashkë dhe në koordinim”, tha ai.

Sipas deputetit Besnik Tahiri, Lëvizja Vetëvendosje dhe mandatari për kryeministër, Albin Kurti po shpalosë qasje autoritare dhe tentim të dominimit.

Tahiri: Refuzojmë në çfarëdo forme këtë kulturë politike të njëanshme

“Nuk kemi asgjë kundër figurës së kryeministrit Kurtit e as kryetarit Konjufcës, as kundër asaj që këta përfaqësojnë. Jemi kundër secilës logjikë dominuese arbitrare që ju po e përfaqësoni. Refuzojmë në çfarëdo forme këtë kulturë politike të njëanshme që dihet se kjo qasje autoritare ku e ka qu vendin dhe ku do ta qojë ende”, tha ai.

Gashi: Kurti nuk është i gatshëm për të qeverisur

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi e ka quajtur popullist dhe retorikë boshë ekspozenë e mandatarit për kryeministër Albin Kurti.

Gashi në foltoren e Kuvendit të Kosovës tha se Kurti nuk është i gatshëm të qeverisë.

“Nuk po ofroni asgjë, po duket qartë së nuk keni kaluar rëndë nga retorika boshe në ide. Për fat të keq të Kosovës, ju nuk jeni i gatshëm për të qeverisur”, tha Gashi.

Ndryshe, Albin Kurti është mandatuar për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Enver Hoxhaj: PDK voton kundër Qeverisë Kurti

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, në seancën e sotme të jashtëzakonshme ku pritet votimi i Qeverisë Kurti, kritikoi kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Hoxhaj tha se PDK nuk do ta votojë sot formimin e Qeverisë.

Me këtë rast, ai tha se e ka njohur Kurtin si person me vetëdije politike e jo si njeri, por që sot e pa të kundërtën te ai.

Ndërsa, ai komentoi edhe koalicionin e Lëvizjes Vetëvendosje me Vjosa Osmanin, me ç’rast tha se ky koalicion është më shumë për karrige.

“Koalicioni me zonjën Osmani është më shumë koalicion për karrike, dhe kjo ka qenë një fjalë që ju më shumë e keni përdorur në të kaluarën për shumë koalicione që janë bërë në vend. Ne do të bëjmë një opozitë, do të jemi zëri i qytetarëve. Por arsyeja e fundit që dua ta ngris është se pse kjo urgjencë e një seance të tillë pas konstituimit të Kuvendit dhe pse sot nuk keni vendosur ta zgjidhni fillimisht presidentin”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka deklaruar se nga Kurti sot nuk dëgjoi asgjë për mos vazhdimin e dialogut derisa Serbia të kërkoj falje, nuk dëgjoi asgjë për Asociacionin e marrëveshjen e Washingtonit.

Sipas tij, Kurti edhe mëherët ka qenë kryeministër, por që Qeveria e tij ka qenë e papërgjegjshme.

“Ne jemi në një seancë në mars të vitit 2021, por duhet ta shtrojmë pyetjen se edhe në shkurt të vitit 2020 e kemi pasur kryeministrin Kurti po ashtu kandidat për kryeministër dhe është votuar si kryeministër. Dhe ajo çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe është se i kemi pasur dy modele të qeverisjeve, atë Kurti dhe Hoti, që kanë qenë qeveri të papërgjegjshme, të paafta për të adresuar sfidat e brendshme dhe ato të jashtme”, ka shtuar ai.

***

Kusari–Lila fton deputetët e opozitës që të votojnë Qeverinë Kurti

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila ka ftuar sot të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë Qeverinë Kurti 2, duke thënë se një vullnet i tillë politik i dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit nuk është parë asnjëherë në Kosovë.

Kusari-Lila në fjalën e saj në Kuvendin e ri të Kosovës kërkoi nga kolegët e saj deputetë që të bashkohen në rrugëtimin për të shkruar një faqe të re të historisë së Kosovës, duke thënë se fati i vendit është në duart e të zgjedhurve të popullit.

Kusari–Lila: Ftoj të gjithë kolegët që të jemi bashkë në këtë rrugëtim

“Përderisa të gjithë reflektojmë në rezultatin e zgjedhjeve, është shumë me rëndësi të kuptojnë të gjithë përfaqësuesit e popullit sot këtu në sallë për përgjegjësinë politike, institucionale dhe njerëzore që kemi... Qeverisja e mirë dhe modernizimi nuk mund dhe nuk duhet të importohen dhe të imponohen nga jashtë, ato duhet të burojnë nga ne. Të gjithë sot jemi akterë që kemi në dorë fatin e vendit tonë, andaj kryeministrit dhe qeverisë së re i urojmë sukses, i ofrojmë mbështetje të pa rezervë nga GP i LVV dhe iu thërras juve kolegë deputetë që të jemi bashkë në këtë rrugëtim, për të shkruar një faqe të re të historisë së Kosovës”, tha Kusari-Lila.

Mandatari për kryeministër Albin Kurti gjatë ekspozesë së tij ka thënë se nuk ka normalizim të marrëdhënieve me Serbinë nëse nuk njihet Kosova e pavarur.

***

Mandatari për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se pa njohjen e realitetit të Kosovës së pavarur dhe pranimin e të vërtetës nga ana e Serbisë, nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve në mes dy popujve dhe në mes të dy shteteve.

Ai në foltotën e Kuvendit, duke prezantuar ekspozën e tij para të zgjedhurve të popullit, tha se me Serbinë, Kosova ka çështje të hapura që duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut, megjithatë shtoi se asnjë progres nuk mund të bëhet nëse nuk mund të bëhet nëse nuk ka progres në zgjidhjen e fatit të të pagjeturve në Kosovë.

Kurti shtoi se raportet tona fqinjësore do t’i avansojmë nëpërmjet reciorocitetit.

Sipas tij, rruga drejt integrimit në BE, mund të jetë sfiduese por ajo nuk ka alternativë.

***

Media ka siguruar emrat e Qeverisë së re e cila pritet për pak që të votohet në Kuvendin e Kosovës.

Zëvendëskryeministër është propozuar ish-ministri i Financave Besnik Bislimi, ndërkohë zëvendëskryeministre dhe Ministre e Punëve të Jashtme do të jetë Donika Gërvalla nga Lista “Guxo”.

Zëvendëskryeministre nga komunitetet do të jetë Emilia Rexhepi. Ndërkohë që ministër i Financave është propozuar Hekuran Murati.

Image

Ministre e Drejtësisë është propozuar Albulena Haxhiu, Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia, Ministër Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, Ministër i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajurllah Çeku, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Kraniqi, Ministër i Mjedisit, Planifikimit  Hapësinore dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Ministër i Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Pylltarisë do të jetë Faton Peci. Ndërsa  Ministër i Mbrojtjes do të jetë Armend Mehaj, Ministër i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, Ministër i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministër i Zhvillimit Rajonal Fikrim Damka.

Ndërsa ministër për Komunitete dhe Kthim nuk ka emër por është e rezervuar për Listën Serbe

Nis seanca në të cilën pritet të votohet Qeveria e re

Ka filluar seanca ku pritet të zgjidhet Qeveria e re e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin.

Paraprakisht, ushtruesi i detyrës së presidentit, Glauk Konjufca, i ka dërguar letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, për t’ia kërkuar emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë.

Në letër, u.d. Presidenti Konjufca, duke iu referuar dispozitave kushtetuese dhe njoftimit të KQZ-së për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta krijuar Qeverinë e re.

Lëvizja Vetëvendosje i ka votat e mjaftueshme për ta formuar Qeverinë që pritet ta udhëheq kryetari i këtij subjekti politik, Albin Kurti.

Sot gjatë ditës është mbajtur seanca konstituive e Kuvendit dhe Glauk Konjufca është zgjedhur kryetar i këtij institucioni, duke marrë edhe kompetencat e ushtruesit të detyrës së presidentit.

Albin Kurti mbërrin në Kuvend, diskuton me Vjosa Osmanin

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës. Ai është parë në sallën ku do të mbahet seanca për zgjedhjen e Qeverisë së re, duke diskutuar me Vjosa Osmanin.

Seanca për formimin e Qeverisë Kurti 2 ishte paraparë të mbahej nga ora 17:00, por ajo s’ka nisur ende.

Tashmë edhe deputetët e partive opozitare kanë mbërritur në sallënm e Kuvendit, ndërsa deputetët e LVV-së janë shprehur se i kanë votat e nevojshme për ta zgjedhur Qeverinë.

Pak para seancës për formimin e Qeverisë, deputetët e Vetëvendosjes të parët në Kuvend

Disa deputet të Lëvizjes Vetëvendosje po qëndrojnë në Kuvend, pak para seancës së jashtëzakonshme për formimin e Qeverisë.

Derisa kryesia e Kuvendit po diskuton për caktimin e seancës për formimin e Qeverisë, ata janë mbledhur në sallën ku do të mbahet seanca për formimin e Qeverisë.

Kujtojmë që Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar për kryeministër të ardhshëm të vendit Albin Kurtin, liderin e saj.

Ky subjekt politik i ka kthyer letrën Glauk Konjufcës, ushtruesit të detyrës së presidentit.

Ndërsa, rreth orës 17:00 është paralajmëruar seanca ku do të votohet Qeveria Kurti.

Seanca për formimin e Qeverisë nis në ora 17:00

Seanca për formimin e Qeverisë së re do të mbahet nga ora 17:00.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi për media nga Lëvizja Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.

Seanca për formimin e Qeverisë vije pasi ushtruesi i detyrës së presidentit, Glauk Konjufca, i dërgoi letër më herët liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, që ky subjekt ta propozojë mandatarin për kryeministër.

Sot Kuvendi ka zgjedhur kryetar Glak Konjufcën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat