Abdixhiku ka këshilla për Kurtin si kryeministër

Aktuale

Abdixhiku ka këshilla për Kurtin si kryeministër

Më: 22 mars 2021 Në ora: 18:19
Lumir Abdixhiku

(E plotësuar 18:54) - Në seancën e jashtëzakonshme parlamentare me të vetmen pikë të rendit të ditës për zgjedhjen e Qeverisë Kurti 2, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se nga Qeveria e ardhshme pret që vendi të ketë zgjidhje për çdo problem dhe çështje të cilën Vetëvendosje e kishin ngritur si opozitë.

Në seancën ku pritet votimi i Qeverisë së re të vendit, Abdixhiku i cili është zgjedhur edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, tha se Vetëvendosja ka fituar shumicën, po jo të tërën.

Abdixhiku: Vetëvendosja ka fituar shumicën, po jo të tërën

“Kryeministri i ri që do të zgjidhet sot, duhet t’i kujtoj vetës se nga nesër s’është më përfaqësues një partiak, as kryeministër i zgjedhësve të vet, por është kryeministër i Republikës së Kosovës dhe si i tillë nga dita e parë e punës e deri tek ajo e fundit duhet të sillet me dinjitet. Kryeministri i ri mbi të gjitha duhet t’i kujtojë vetes së çdo arrogancë numrash, çdo sjellje indiferente, çdo kryeneçësi politike e çdo refuzim konsensusi na shpie të gjithëve tek polarizimi i mëtejmë shoqëror, polarizim i cili tash e sa kohë nuk e lë vendin të marr frymë lirë”, tha ai.

Abdixhiku po ashtu tha se roli i LDK-së si opozitë do të jetë për të ofruar stabilitet, duke respektuar rolin e saj opozitar.

Abdixhiku: Respektojmë vullnetin e njerëzve që sot janë me ju e nesër bëhen me ne

“Si opozitë e re, këtë kapitull e mbajmë të mbyllur, sepse e respektojmë sistemin brenda së cilit garojmë e punojmë, sepse respektojmë vullnetin e njerëzve që sot janë me ju e nesër bëhen me ne, sepse politiken e shohim si cikël ku asgjë s’është e përhershme përveç kërkesës së pashtershme për demokraci. Këtë kërkesë e shtrojmë tani. Shumica këtë herë ndërton qeveri një partiake, shumicë të konsoliduar në vijë me zërin zgjedhor, por shumica ndonëse me rezultat prej 50 për qind, duhet t’i kujtojë vetes se 50 përqindëshin tjetër e ka në dy anët e saj, në opozitë. Aq sa ka nga vetja, aq mban edhe jashtë, ndonëse është më e madhja s’është e tëra. E tëra përfaqësohet nga të gjithë ne mu në këtë kuvend dhe këtë duhet ta kuptoni fillimisht”, tha Abdixhiku.

Ai në fund tha se nga qeveria e re presin zgjidhje për të gjitha problemet që i kanë përmendur si opozitarë.

***

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka nisur fjalën e tij në Kuvend duke e uruar kryetarin e ri të këtij institucioni, Glauk Konjufcën.

“I nderuar kryetar i Kuvendit, fillimisht urime për zgjedhjen tuaj”, tha Abdixhiku, duke vazhduar që të përmend sfidat dhe duke ia dhënë disa këshilla kryeministrit dhe kabinetit të ri qeveritar.

“Në qoftë se rendi kushtetues është respektuar me plotni, sot është përmbyllur respektimi i vullnetit të qytetarëve. Është veprim i zakonshëm demokratik”, tha Abdixhiku.

“Si opozitë e re, këtë kapitull e mbajmë të mbyllur sepse respektojmë vullnetin e njerëzve që sot janë me ju, e nesër bëhen me ne”, theksoi ai.

Kryetari i LDK-së tha se sot shumica e ndërton qeverinë njëpartiake, por i tha Kurtit të mos harrojë dhe tha se ai “duhet t’ia kujtojë vetes se 50% tjetër e ka në dy anët tjera”.

“Kryeministri që do të zgjidhet sot duhet t’ia kujtojë vetes se nga dita e parë e punës e deri te ajo e fundit, duhet të sillet me dinjitet”, tha tutje Abdixhiku.

Abdixhiku tha se LDK-ja do të mbajë rol opozitar, ndërsa tha se “do ta ushtrojmë me kredibilitet e dinjitet këtë detyrë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat