Lëvizja Vetëvendosje - Qendra në Shqipëri, i është gëzuar qeverisë së re në Kosovë me në krye Albin Kurtin.
Ata kanë publikuar pamje nga festa dhe gëzimi i tyre, teksa bie në sy Hysamedin Feraj dhe Boiken Abazi.
"Me Albinin, Glaukun, e me çdo idealist e qytetar guximtar, e ardhmja do të jetë rrënjësisht ndryshe prej të shkuarës së shënuar nga qeverisje shpesh pa integritet", kanë shkruar ndër tjera ata.
Postimi i plotë:
Festojmë për Qeverinë Kurti
Nga sot, Kosova nis rrugën e saj drejt zhvillimit e demokratizimit, me Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit, dhe me qeverinë e re, të përbërë tërësisht nga persona të pakorruptuar.
Aktivistët në Tiranë e ndoqën me gëzim seancën e Kuvendit të Kosovës, ku qeveria Kurti u votua me 67 vota. Urojmë që kjo qeveri të sjellë një shembull të mirë për të gjithë shqiptarët, të punojë për të zgjidhur problemet e shumta që trashëgon, dhe mbi të gjitha, të dëshmojë se shqiptarët janë në gjendje të ndërtojnë shtet e institucione funksionale.
Me Albin Kurtin kryeministër, besojmë se jo vetëm Kosova, por edhe Shqipëria e gjithë shqiptarët, do të ndihen të përfaqësuar denjësisht.
Urojmë gjithë simpatizantët e Lëvizjes, gjithë qytetarët, edhe për zgjedhjen e Glauk Konjufcës, aktivistit shembullor e të ditur, në krye të Kuvendit të Kosovës.
Me Albinin, Glaukun, e me çdo idealist e qytetar guximtar, e ardhmja do të jetë rrënjësisht ndryshe prej të shkuarës së shënuar nga qeverisje shpesh pa integritet.