(E plotësuar 11:20) - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar edhe zyrtarisht detyrën e kreut të ekzekutivit nga ish-kryeministri Avdullah Hoti. Sipas ceremonisë shtetërore dhe pas nderimit të himnit shtetëror, Kryeministri Albin Kurti dhe ish-Kryeministri, Avdullah Hoti kanë parakaluar para Gardës Ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti dhe ish-kryeministri Hoti vazhduan në ambientet e zyrës së Kryeministrit, ku ish-Kryeministri i uroi mirëseardhje dhe suksese në punën e tij, si dhe ia dorëzoi raportin e punës së deritashme të Qeverisë.
Ndërkohë, sot do të mbahet mbledhja e parë ceremoniale e Qeverisë së Republikës Kosovës nën drejtimin e Kryeministrit Kurti.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/March/23/auto_ZKP_23_3_2021_41616494957.jpg)
Kurti pranon raportin e punës nga Hoti
Kryeministri i zgjedhur Albin Kurti ka pranuar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti raportin dhe dosjen e punës.
Dorëzimi i këtij raport nga ish-kryeministri është bërë në kuadër të ceremonisë së dorëzim-pranimit të detyrës së kryeministrit.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/March/23/850x636_kurti-hoti1616491116.jpg)
Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i vendit të hënën me 67 vota të deputetëve.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/March/23/850x636_wep1616490494.jpg)
Një veprim të tillë nuk e kishte bërë Albin Kurti kur Avdullah Hoti u bë kryeministër.
Kurti, qeveria e të cilit u rrëzua vetëm pas 51 ditësh në pushtet, kishte thënë se nuk mund ta pranonte atë që e kishte shkarkuar vetë.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/March/23/850x636_163146087_1117741838709648_3429824706713204235_n1616490402.jpg)
Albin Kurti kishte shkarkuar Avdullah Hotin nga posti i zëvendëskryeministrit vetëm pak orë pasi ishte shkarkuar qeveria e tij më 25 mars pas mocionit të mosbesimit të iniciuar nga partia e Isa Mustafës me të cilën Vetëvendosje ishte në koalicion qeverisës.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/March/23/auto_163523426_1070898793391362_82743784654060886_n1616490111.jpg)
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti mëngjesin e së martës ka shkuar në selinë partisë, një ditë pasi është zgjedhur kryeministër i vendit.
Të hënën në mbrëmje, Kurti u zgjodh për herë të dytë kryeministër.
Qeveria e udhëhequr nga ai mori 67 vota të deputetëve.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/March/23/auto_2-291616489446.jpg)
***
Kryeministri i ri Albin Kurti do të pranojë sot detyrën nga tashmë ish-kryeministri Avdullah Hoti.
Pranim-dorëzimi i detyrës do të bëhet në ora 10:00 në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës. kështu është bërë e ditur nga zyra e kryeministrit.
Ndërsa në ora 13:00 të mbahet mbledhja ceremoniale e Qeverisë.
Pas kësaj, Albin Kurti do të bëjë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Sipas agjendës, Kurti do të takohet edhe me ambasadorin e BE-së, Tomas Szunyog.
***
Avdullah Hoti sot do të dorëzojë zyrtarisht detyrën e tij te kryeministri i zgjedhur Albin Kurti sipas protokollit shtetëror.
Hoti mbrëmë ka thënë se ka përgatitur dosjen e plotë me informacionet për punët e kryera gjatë qeverisjes së tij.
“Kryeministrit të ri do t’ia dorëzojë informatat e plota për procesin e integrimit evropian, për nivelin e zbatimit të MSA-së, për programet IPA që i kemi zhvilluar, për diskutimet që i kemi bërë veç e veç me vendet e Bashkimit Evropian në procesin e liberalizimit të vizave. Do t’i dorëzoj informatat e plota për procesin e dialogut, si është zhvilluar deri më tash, përgatitjet që janë bërë, ekspertët që kanë qenë të angazhuar, dakordimet e miqve tanë ndërkombëtarë. Do t’i dorëzoj informatat për marrëveshjen e Uashingtonit”, u shpreh Hoti.
Ndryshe, deputetët e legjislaturës së tetë të Kuvendi të Kosovës dje me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim zgjodhën Qeverinë e re të drejtuar Albin Kurti.