Kosova dje e ka konstituuar legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës, e cila menjëherë e ka votuar edhe Qeverinë e re. Me 69 vota të deputetëve, Glauk Konjufca u rizgjodh Kryetar i Kuvendit. Ndërsa, me 67 vota të deputetëve, u votua edhe Qeveria Kurti 2.
Pas votimit të djeshëm, sot u bënë edhe dorëzim-pranimet e dikastereve qeveritare, përfshirë edhe vetë kreun e ekzekutivit, duke dëshmuar kështu vetëdije të lartë institucionale.
Megjithatë, sfidë kryesore e kësaj legjislature është zgjedhja e presidentit të ri, pasi kërkohet që 2/3 e deputetëve të qëndrojnë në seancë gjatë votimit.
Aktualisht, ende nuk ka marrëveshje ndërmjet subjekteve politike për presidentin e ri. Por, fituesit e zgjedhjeve tashmë e kanë diskutuar këtë çështje me të gjitha partitë parlamentare dhe u kanë kërkuar që të qëndrojnë në sallë.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja deri më tash kanë deklaruar që nuk do të qëndrojnë në seancë.
Ndërsa, Lista Serbe ka shprehur pakënaqësi publike për ministrin e tretë të komuniteteve, që nuk i është dhënë atyre, duke paralajmëruar që çështjen do ta dërgojnë edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Përkundër vështirësive, në prapaskenën politike ka filluar të negociohet më shumë rreth zgjedhjes së presidentit të ri.
Media nga burime brenda LDK-së ka mësuar se lidershipi i ri i LDK-së ia ka bërë një propozim konkret Vjosa Osmanit, në këmbim të votave të deputetëve të LDK-së për ta bërë atë presidente.
“Po, shumica e deputetëve të LDK-së kanë gatishmëri, jo vetëm që t’ia bëjnë kuorumin, por edhe ta votojmë për presidente Vjosa Osmanin. Por, me kushtin që të gjithë deputetët e listës së saj t’i bashkohen Grupit Parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ky burim brenda LDK-së.
Shqetësimi është vetëm tek mundësia e shkarkimit të ministrave të Listës së Osmanit nga Qeveria Kurti 2, që i kanë humbur edhe mandatet e deputetit, sepse, sipas tij, nuk mungon gatishmëria për ta arritur këtë marrëveshje politike, e cila po cilësohet se e favorshme politikisht edhe për Osmanin, por më së shumti për LDK-në dhe rikthimin e saj në pushtet.
Pak më herët edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka deklaruar publikisht se deputetët e kësaj partie duhet të qëndrojnë në sallë dhe ta votojnë për presidente Vjosa Osmanin.