Ish luftëtari i UÇK-së, Lirak Çelaj, e ka përshkruar si tejet emocionuese natën e 24 marsit të vitit 1999, kur kishin nisur sulmet ushtarake të NATO-s ndaj Serbisë.
“Ka qenë emocion pozitiv. Ishte paralajmërim që luftës po i vjen fundi. Kur ka filluar lufta, shumica kemi qenë të përgatitur që do të zgjasë më shumë dhe nuk kemi qenë optimist se do të ketë ndërhyrje të NATO-s”.
“Kemi llogaritur që lufta do të zgjasë tre deri në pesë vjet. Ndonëse kishte paralajmërime për ndërhyje ishim skeptikë. Kur ndodhi ishte befasi dhe gëzim. Me atë pamë që fundi i luftës do të jetë shumë më i shpejtë”, ka thënë Çelaj.
“Unë kam qenë në Llapashaticë, kam shërbyer në Zonën Operative të Llapit dhe e kujtoj mirë secilin detaj. Ka qenë kënaqësi”.
Çelaj është shprehur në Info Magazine se pas nisjen së bombardimeve Serbia i kishte intensifikuar sulmet e saj, ndërkaq ashtu po i kundërpërgjigjej edhe UÇK.
“Kjo na bëri të mendojmë se nuk e ka në mend që ta ndërpresë luftën”.
“Morëm më shumë zemër për të rezistuar. Intensifikuam mbrojtjen. Ishte e vështirë çështja e mbrojtjes së civilëve. Luftohej ‘dhëmbë me dhëmbë’ dhe për fat të mirë kjo përfundoi. Në zonën ku kam qenë unë, Zona e Llapit, thuhet se e ka thyer planin patkoi për spastrimin e Kosovës”.