Ardian Gjini: Dorëheqja e Xhafer Gashit, jo e mirë për AAK-në

Aktuale

Ardian Gjini: Dorëheqja e Xhafer Gashit, jo e mirë për AAK-në

Më: 25 mars 2021 Në ora: 06:43
Ardian Gjini

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka folur rreth zhvillimeve të fundit në këtë subjekt politik, ku një ditë më parë, dha dorëheqje nga të gjitha pozitat në këtë parti, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi.

Ai ka thënë se pavarësisht largimeve, ndërsa përfshinë edhe reagimin e ish-minstres së Jashtme, Meliza Haradinaj, AAK, ruan boshtin e saj politik.

”Nuk është diçka e mirë që ka ndodhë. Ne e kemi pasur koleg për një kohë të gjatë. Kryetari Haradinaj ka bërë më shumë për Obiliqin se sa për Gjakovën, edhe pse edhe për Gjakovën është bërë shumë prej AAK-së”.

”Nuk i kuptoj detajet të gjitha, por them se AAK ka një bosht të fuqishëm, që ka mbijetuar në një kohë shumë më të zorshme, dhe besoj që qytetarët e Kosovës e dijnë që ekziston një subjekt politik që në rrethana jashtëzakonisht të zorshme, i ka përfaqësuar votuesit e vet në mënyrën më të mirë të mundshme”.

”Tani e kemi rastin e Xhaferit dhe Melizës. Mund t’ju them bindjen time personale, sepse nuk kam arritë t’i kuptoj deri në fund argumentet e tyre. Unë kisha pas qejf t’i kemi të dy ende në AAK, dhe secili prej nesh, por këto janë vendime të tyre”.

Cilat kanë qenë pakënaqësitë e tyre për rastin që u larguan?

”Pa hy në detaje, me ministren Haradinaj nuk kam provuar të bisedoj. Me kryetarin Gashi, kam provuar në njëfar mënyre me bisedu. Por, ata kanë qenë njerëz të AAK-së kanë dhënë kontributin e tyre në AAK. Nëse ka njerëz të tillë që për arsye të caktuar nuk e gjejnë veten aty, AAK prapë ka me vazhdu”.

”Boshti i AAK-së do të mbetet gjithmonë. Ne dy kolegëve tanë iu urojmë sukses. Ata nuk duhet të harrojnë që në AAK, prej kryetarit të partisë e tek cilido anëtar tjetër, i kanë respektu. Nëse kanë pasur hidhërime, ne na vjen keq për nder, por partitë janë klube dhe nuk munden të gjithë të jenë miq të ngushtë. Nuk është lajm i mirë për AAK-në me shku Meliza Haradinaj dhe Xhafer Gashi. Por ju garantoj që AAK e ruan boshtin e vet politik dhe nuk ka lëvizje që mund të bëjnë dëme të tjera”.

”Ajo që di unë është se Ligji për Obiliqin ka ndodhur në kohën e Kryeministrit Haradinaj”.

”Ne e dimë që kanë ndodhur investime të tjera. Na vjen keq që Xhafer Gashi e ka marrë këtë vendim, kemi shpresë dhe i urojmë sukses në rrugëtimin e tij. Ne si parti politike dhe si njerëz që e duam Kosovën, edhe në nivelet lokale të AAK-së ne e duam Obiliqin do të angazhohemi për të si dhe për komunat tjera, do të gjejmë zgjidhje edhe pa Xhaferin, edhe pse kishim dashtë me pasë Xhaferin në AAK, por ne do të gjejmë zgjidhje, dhe do të jemi me qytetarët tanë”.

”Të gjithë politikanët duhet kuptuar një gjë, që karriget që ne mbajmë, sa herë që shpallen zgjedhjet, ato kthehen tek qytetarët e Kosovës”.

”Nëse në një moment të caktuar vendosin diçka tjetër, ne duhet ta respektojmë. Nëse hidhërimet shndërrohen në vendime të tilla, atëherë ça të bëjmë, ndodhë në gjithë botën dhe nuk jemi të vetmit rast”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat