Ish-ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Dritan Demiraj, e ka uruar Albin Kurtin, për postin e kryeministrit të Kosovës.
Ai është shprehur i bindur se nën drejtimin e Kurtit, qeveria e Kosovës do të përmbush të gjitha objektivat e saj qeverisëse.
Ndërsa, ka theksuar se sfida e radhës e Kurtit, sipas gjeneralit, është zgjedhja e Vjosa Osmanit, si presidente e Kosovës, përcjell Bota sot.
Demiraj ka vlerësuar se osmani është simbol unifikues i vullnetit të popullit.
Reagimi i plotë i Demirajt në Facebook:
Urime dhe suksese mikut tim Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe qeverisë së drejtuar prej Tij.
Jam i bindur se nën drejtimin e z. Kurti, qeveria e Kosovës do të përmbushë të gjithë objektivat e saj qeverisëse për një mirëqenie më të mirë për qytetarët, për luftë pa kompromis ndaj korrupsionit dhe për një shtet të së drejtës dhe jo vetëm.
Sfida e radhës që duhet të kalojë qeveria është zgjedhja e Presidentit të Republikës për të cilën duhet gjendur një konsesus i gjerë politik me qëllim që vendi të vazhdojë reformat dhe rrugëtimin Euro-Atlantik dhe në këtë kontekst, kandidatura e znj. Vjosa R. Osmani është një simbol unifikues i vullnetit të popullit.
Shpreh bindjen se qeveria e drejtuar nga z. Lulzim Basha pas 25 Prillit 2021 dhe qeveria Kurti do të bashkëpunojnë ngushtë me qëllim avancimin e agjendës mbarëkombëtare.
D.D. Tiranë.