Përmes një komunikate të dërguar në adresën e redaksisë së gazetës “Bota sot”, nëndega e LDK-së në Wilisau të Zvicrës ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Në një takim të mbajtur sot, kjo nëndegë ka dal me disa propozime, shkruan “Bota sot”.
Ndërsa, e quajnë të parakohshme, shumë të dëmshme dhe në kundërshtim me anëtarësinë besnike të LDK-së mbështetjen e parakohshme për kandidaten për presidente, Vjosa Osmani.
Në këtë kumtesë bëhet thirrje për kujdes, pasi sipas kësaj nëndege që çdo vendim dhe votim që bie në kundërshtim me vullnetin e anëtarësisë besnike të LDK-së, është i dëmshëm dhe shumë i rrezikshëm për thellimin e rënies.
Ja kumtesa e plotë:
Komunikatë e nëndegës së LDK-së në Wilisau!
Kryesia e nëndegës së LDK-së në Wilisau mbajti mbledhjen e saj të rregullt më 28.03.2021 në Zofingen.
Ndër pikat kryesore të rendit të ditës ishte situatë aktuale politike dhe organizative në LDK, në Kosovë dhe në degën e LDK-së në Zvicër. Nga të gjithë anëtarët e kryesisë të pranishëm në mbledhje, u diskutua hollësisht dhe u morën disa qëndrime.
Kryesia qendrore sa më parë të filloj reformimin dhe ristrukturimin në të gjitha degët dhe nëndegët e LDK-së në Kosovë dhe mërgatë. Konsiderojmë se është domosdoshmëri e kohës rifreskimi me kuadro të reja dhe rikthimin e atyre që me vite të tëra kontribuuan dhe qëllimisht u anashkaluan nga klika e vjetër.
Të formohet një komision i cili do të merret me degët dhe nëndegët në mërgatë e posaçërisht me degën e LDK-së në Zvicër. Ka gjashtë vite që dega e LDK-së në Zvicër është përçarë nga emisari special, i dërguar nga ish kryetari Mustafa. Kryesia e degës së LDK-së në Zvicër është gjysmake sepse gjysmën e nëndegëve i ka lënë jashtë procesit zgjedhorë, andaj nuk ka të drejtë të thirrët në emër të gjithë nëndegëve dhe anëtarësisë së tyre. Se sa ka ndikim kjo kryesi në anëtarësinë e gjerë të LDK-së në Zvicër, tregoj rezultati në zgjedhjet e fundit. Kërkojmë nga ai komision që sa më shpejt të ndërhyjë dhe të reformohet dega me të gjitha nëndegët e LDK-së në Zvicër.
Deklaratat e disa anëtarëve të kryesisë qendrore në Kosovë, në mbështetje të kandidates për Presidente të Kosovës nga radhët e VV, janë të parakohshme, shumë të dëmshme dhe në kundërshtim me anëtarësinë besnike të LDK-së. Konsiderojmë se së pari të ketë debate dhe konsultime në organet drejtuese të partisë si dhe me anëtarësinë e saj, pastaj në bazë të vendimit të shumicës të dilet me vetëm një deklaratë nga kryetari i LDK-së, si qëndrim i vetëm i LDK-së. Çdo deklaratë parciale nga kushdo qoftë vetëm sa thellon përçarjen dhe dobësimin e LDK-së. Kjo logjikë e komunikimit me publikun duhet të ndërpritet, ka vetëm qendrim unifikues të partisë dhe vetëm një deklaratë në emër të LDK-së nga kryetari i saj, assesi qëndrime dhe deklarime individual nga kushdo qoftë.
Nëse dikush ka nostalgji për kandidaten për Presidente le të shkoj në subjektin e sajë politik dhe mos ta dëmtojë prapë LDK-në. Çdo vendim dhe votim për Presidenten që bie në kundërshtim me vullnetin e anëtarësisë besnike të LDK-së, është i dëmshëm dhe shumë i rrezikshëm për thellimin e rënies së LDK-së. Deputetë të nderuar të LDK-së në Parlamentin e Kosovës, para se të votoni duhet ta keni parasysh këtë vullnet të atyre që ju votuan. Çdo votim që bie ndeshë me vullnetin e tyre do jetë mallkim dhe ndëshkim për juve!
Të gjitha deklaratat publike të funksionarëve të LDK-së, të cilat bartin akuza dhe kundër akuza, janë të pa pranueshme për ne. Konsiderojmë se bartin mesazhin e hutisë, përçarjes dhe thellimin e humbjes së radhës, andaj duhet të ndërpriten sa më parë.
Komisioni për informim i nëndegës së LDK-së në Wilisau!