Juristja e mediave, Flutra Kusari ka reaguar në lidhje me aktgjykimin që i është bërë Xhavit Drenorit ndaj padisë së Ramiz Lladrovcit.
Kusari ka thënë se kjo është një aktgjykim i padrejtë në dëm të lirisë së shprehjes.
“Xhavit Drenori kishte shkruar për Ramiz Lladrovcin në Facebook "Bizneseve të Drenasit ua ktheu shpinën duke i dënuar e shantazhuar (sepse ishin "identifikuar" si jo votues të tij). Për këtë fjali, Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Gllogoc dhe gjykatësi Jeton Krasniqi, kanë gjetur se Drenori ka shpifur dhe e ka dënuar atë me 2,400 euro kompensim dëmi. Aktgjykimi mban referencën C.nr.322/2017 dhe datën 15 mars 2021”.
“Aktgjykimi është i shkruar dobët, i pargumentuar, i padrejtë dhe në kundërshtim flagrant me Ligjin Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes dhe praktikën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj)”.
“GjEDNj-ja përmes Axel Springer k. Gjermanisë dhe një sërë rastesh tjera, ka krijuar një test i cili është i detyrueshëm për gjykatësit kur shqyrtojnë rastet që kanë të bëjnë me shpifje”.
“Testi kërkon nga gjykatësit vendorë që në rastet e shpifjes t'i shtjellojnë çështjet në vijim: a është debati në interes të publikut, a është shprehja fakt apo opinion, a ka të bëjë shprehja me debat politik, kush është personi ndaj të cilit është bërë kritika, kush është personi që e ka bërë kritikën, cila është forma dhe pasoja e shprehjes, a është bërë deklarata gjatë fushatës zgjedhore etj. Të gjitha këto pyetje me rëndësi janë injoruar”.
“Aspketet më tronditëse të aktgjykimit janë a) refuzimi nga gjykatësi i propozimit të Drenorit për të dëgjuar një dëshmitar, i cili do të dëshmonte se si është detyruar të largojë biznesin nga Drenasi dhe b) kategorizimi i gabueshëm i shprehjes si fakt”.
“Shprehja e Drenorit, në kontekst të zgjedhjeve, derisa ishte asambleist dhe kundërkandidat i Lladrovcit për pozitën e kryetarit të komunës, është thjeshtë një kritikë e ashpër politike e cila kritikë gëzon mbrojtjen më të madhe të mundshme nga ana e GjEDNj-së”.
“Apeli duhet të përmirësojë këtë precedent të rrezikshëm gjyqësor për debatin politik dhe lirinë e shprehjes në Kosovë.”
“U motivova me shkru një blog me të gjitha referencat relevante të GjEDNj-së, nëse më del kohë” – përfundon reagimi i Kusarit në Facebook.