Flet Kurti pasi mori vaksinën: Hiqni dilemat, shembulli im ishte për t’i inkurajuar të tjerët

Aktuale

Flet Kurti pasi mori vaksinën: Hiqni dilemat, shembulli im ishte për t’i inkurajuar të tjerët

Më: 29 mars 2021 Në ora: 16:49

(E plotësuar 18:58) - ​Vitia pas nisjes së vaksinimit: Dozat e AstraZeneca do të shpërndahen për 24 mijë qytetarë

Pas nisjes së shpërndarjes së dozave të para antiCOVID, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka deklaruar se profesionistët shëndetësorë të Klinikës Infektive do t’i marrin vaksinat në klinikë, ndërsa 24 mijë vaksinat AstraZeneca e ardhura mbrëmë në Kosovë do të shpërndahen për 24 mijë qytetarë.

Vitia tha se mjekët mund të vaksinohen edhe në sallën “1 tetori”, ndërsa profesionistët shëndetësorë të komunave të tjera do të vaksinohen në qendrat e vaksinimit në QKMF-të e komunave.

Vitia: Personeli shëndetësor i Infektivës do t’i marrin në Klinikë

“24 mijë dozat që kanë arritura mbrëmë do të jepen për 24 mijë persona, duke filluar nga personeli shëndetësor dhe posa të mbarojmë me personelin shëndetësor, do të fillohet sipas listës sipas planit të vaksinimit me personat mbi 80-vjeç… Në kryeqytet, për shkak të Qendrës Klinike Universitare, është edhe salla “1 tetori” ku do t’i marrin shumica, përveç Klinikës Infektive që nga fillimi kanë qenë në krye të detyrës dhe do të bëhet procesi i vaksinimit aty. Kurse, për mjekët në komunat tjera do të bëhet nëpër qendrat e vaksinimit në qendrat kryesore të mjekësisë familjare të secilës komunë”, tha Vitia.

Lidhur me kontingjentin e vaksinave të ofruara nga Republika e Shqipërisë për mjekët e Kosovës, ministri Vitia tha se personeli shëndetësor në Kosovë do vaksinohet me dozat e AstraZeneca për shkaqe logjistike. Ai shtoi se megjithatë janë në bisedime me shtetin shqiptar për të shfrytëzuar këto vaksina për të vaksinuar kategoritë tjera.

Vitia: Profesionistët shëndetësorë do t’i marrin vaksinat në Kosovë, jemi në bisedime për kontingjentin nga Shqipëria

“Janë 11 mijë dozat që i ka premtuar për personelin shëndetësor, mirëpo për shkaqe logjistike mjekët do ta marrin vaksinën këtu. Ndërkohë jemi duke biseduar me Republikën e Shqipërisë që të fillojmë një kategori tjetër përveç personelit shëndetësorë për ta vaksinuar me këtë kontingjent të vaksinave të ofruara me shumë dashamirësi dhe vëllazëri nga Republika e Shqipërisë”, tha ai.

Në sallën “1 tetori” sot kanë nisur vaksinimet e para. I pari që e mori këtë vaksinë është kryeministri Albin Kurti, e më pas zyrtarja e OBSH-së në Kosovë, Isme Humolli, infektologu Sali Ahmeti dhe aktori Selman Jusufi.

AstraZeneca jepet në dy doza, me një diferencë kohore prej tri javësh, ndërsa Kosova mbrëmë ka pranuar 24 mijë doza e para të kësaj vaksine. Këto doza janë siguruara nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në bazë të planit të vaksinimit, në fazën e parë do të vaksinohen grupet me rrezik të lartë ku përfshihen punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtorët shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grup-moshat mbi 80-vjeç dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike (persona në dializë, persona me diabet, sëmundje kardiovaskulare).

Në këtë grup, numri i përgjithshëm i personave llogaritet të jetë 54.000 mijë apo tre për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës.

Faza e dytë përfshinë grup-moshat 65-79 vjeç, popullsia e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Ky grup përbëhet nga 306.000 persona apo 17 për qind e popullsisë.

Ndërkaq, për fazën e tretë parashihet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë persona ose 70 për qind të mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën antiCOVID-19./

***

Kryeministri Albin Kurti ka folur para mediave pasi e mori vaksinën i pari publikisht.

Ai ka deklaruar se qytetarët duhet t'i heqin dilemat, dhe të vaksinohen ngase është zgjidhja e vetme që t'i bëhet ballë këtij virusi të rrezikshëm.

Ai ka falëndëruar personelin shëndetësor, duke kërkuar nga qytetarët që t'i respektojnë masat maksimalisht.

Kurti është shprehur se nuk ka dashur ta shfrytëzojë privilegjin si kryeministër për tu vaksinuar i pari, por për t’i inkurajuar të tjerët.

“Si kryeministër nuk jam këtu që ta shfrytëzojë privilegjin që të vaksinohem por të inkurajojë të gjithë qytetarët të vaksinohen meqenëse mbrëmë ka ardhur kontingjenti i parë i vaksinave, do të kemi edhe vaksina tjera dhe do të përpiqemi maksimalisht që sa më shpejtë dhe sa më shumë qytetarë të vaksinojmë. Me shembullin tim dua t’i inkurajojë të gjithë qytetarët të vaksinohen dhe të heqin dilemat. Vaksinimi është i nevojshëm, po përballemi me një pandemi të vështirë dhe zgjidhja përfundimtare është vaksinimi i popullsisë ”, ka deklaruar ai.

Kurti ka thënë se do të vazhdohet me personelin shëndetësorë,  me të moshuarit e pastaj qytetarët tjerë.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është qytetari i parë i Kosovës që ka marrë vaksinën kundër Covid-19.

Kurti sapo e mori vaksinën “AstraZeneca” – Oxford COVID-19 në sallën e sporteve “1 Tetori” në Prishtinë.

Pas Kurtit, vaksinën pritet ta marrë stafi shëndetësor në Kosovë.

Image

Nis në Kosovë vaksinimi kundër COVID-19

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po vaksinohet sot me vaksinën kundër COVID-19. 

Ai do të vaksinohet në orën 16:30 në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

“Kryeministri Albin Kurti do të vaksinohet me vaksinën AstraZeneca – Oxford COVID-19. vendi: Salla e Sporteve “1 Tetori”, Prishtinë, koha: 16:30”, thuhet në njoftim.

Image

Të dielën në Kosovë mbërriti kontingjenti i parë me vaksinat anti-Covid. Bëhet fjalë për 24.000 doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Fillimisht do të vaksinohen punëtorët e Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare. Nga COVAX-i, në total Kosova do të marrë falas 100.800 doza të vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë AstraZeneca.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat