LDK-ja e pranon Vjosa Osmanin për presidente

Aktuale

LDK-ja e pranon Vjosa Osmanin për presidente

Më: 30 mars 2021 Në ora: 11:10
Vjosa Osmani

Lidhja Demokratike e Kosovës ka pranuar kandidaturën e Vjosa Osmanit për të qenë Presidente e Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri për Euronews Albania pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së.

Kryesia e Lidhjes Demokratike te Kosovës ka vendosur të qëndrojë në sallë për t’i bërë kuorumin e nevojshëm Vjosa Osmanit për t’u zgjedhur presidente e Kosovës. Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku pritet që të takohet me grupin parlamentar ku do t’u bëhet i ditur qëndrimi i kryesisë së partisë.

“Po janë sinjalet për vota pro Vjosa Osmanit”, kanë thënë zyrtari i LDK-së.

Lëvizja Vetëvendosje e konsideron çështje ditësh, zgjedhjen e Osmanit presidente të vendit, ndërsa refuzon në mënyrë të prerë një kompromis të mundshëm për një emër tjetër. Vetë Vjosa Osmani dhe Albin Kurti kanë takuar më herët edhe krerët e subjekteve politike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, të cilët  kanë deklaruar se nuk do ta përkrahin kandidaturën e zonjës Osmani.

Për zgjedhjen e presidentit të ri duhet 80 deputetë të pranishëm në sallë.  Në rast se nuk arrihet zgjedhja e presidentit vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje. Ka mbetur ende me pikëpyetje lista serbe, anëtarët e të cilës janë të pakënaqur pasi kryeministri Albin Kurti iu akordoi vetëm një pozicion ministror, ndërkohë që ata pretendonin dy.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat