Anëtari i kryesisë së LDK-së, Alban Zogaj, ka thënë se LDK ka vendosur që ta ushtrojë detyrën që u ka dhënë qytetari.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se LDK vazhdimisht ka qenë kundër sabotimit/obstruksionit të proceseve politike dhe se të tillat i konsiderojnë të dëmshme për demokracinë dhe zhvillimin e vendit, përcjell Bota sot.
Ai ka shtuar se sinjalet e qyettarëve janë të qarta, se nuk duan zgjedhje dhe kjo është bërë e qartë edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Postimi i tij i plotë:
Ne kemi vendosur të marrim pjesë në votim për Presidentin e Kosovës, dhe të ushtrojmë detyrën tonë që na e ka dhënë qytetari.
LDK vazhdimisht ka qenë kundër sabotimit/obstruksionit të proceseve politike. Këto sabotime/obstruksione i kemi konsideruar dhe i konsiderojmë shumë të dëmshme për demokracinë dhe zhvillimin e vendit.
Mendojmë - dhe sinjalet janë të qarta - që qytetari i Kosovës nuk ka interesim për zgjedhje të reja, e të shpejta. Kjo gjithashtu është bërë e qartë, çdo ditë, edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Për më tepër, mendojmë se zgjedhjet e reja, të shpejta, janë të dëmshme për vendin, si në aspektin politik, ashtu edhe atë ekonomik e shoqëror.
Andaj, të ndërtojmë institucionet e vendit e të vazhdojmë me punë, sepse këtë e pret qytetari i Kosovës.
Do të jemi opozitë e fortë, duke prezantuar idetë tona për zhvillimin e vendit dhe duke prezantuar alternativat tona qeverisëse, e jo duke bllokuar proceset.