​Vazhdon vaksinimi i profesionistëve shëndetësorë, për të moshuarit procedurë tjetër

Aktuale

​Vazhdon vaksinimi i profesionistëve shëndetësorë, për të moshuarit procedurë tjetër

Më: 30 mars 2021 Në ora: 15:04
Foto

Nga dita e sotme në Kosovë ka nisur imunizimi i profesionistëve shëndetësorë me vaksinën anti-COVID, AstraZenenca. Përveç stafit mjekësor me këtë vaksinë pritet të vaksinohen edhe të moshuarit mbi moshën 80 vjeç dhe atyre me sëmundje kronike. E me të marr informacionin se kanë arritur vaksinat anti-COVID në Kosovë të moshuar të shumtë ia kishin mësyrë sallën 1 Tetori aty ku po bëhen imunizimi.

Por ata u kthyen mbrapa nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët u shpërndan atyre një dokument duke u thënë të moshuarve se ata fillimisht duhet të regjistrohen dhe të presin për konfirmim se kur mund ta marrin vaksinën. Adresa për regjistrim është www.ekosova.rks-gov.net.

Tashmë është aktivizuar faqja "eKosova" në të cilën mund të bëhet regjistrimi i personave mbi 80-vjeç për imunizim me vaksinën e “AstraZenecës”, në kuadër të valës së parë të vaksinimit për imunizim kundër koronavirusit.

Musli Zeneli nga Prishtina i cili erdhi në sallën 1 Tetori së bashku me bashkëshorten e tij tha se nuk beson që do të vaksinohet marr parasysh këto procedurat online.

Zeneli: Nuk besoj që do vaksinohem

“Erdhëm për vaksina por po thonë për të shkuar përmes internetit me i shkrujt emrin dhe mbiemrin me i dhënë dhe pastaj këta të lajmërojnë pastaj…(A beson që do vaksinohesh) Nuk besoj hiq se këta a po e sheh krejt përmes internetit po shkon kjo far pune hiq nuk e di”, u shpreh ai.

Edhe 80 vjeçari, Shaqir Raçi erdhi në sallën 1 Tetori për të parë mundësinë se a do mund të vaksinohet apo jo. Por edhe ai mori përgjigjen e njëjtë ashtu si gjithë të moshuarit të tjerë, të regjistrohet përmes platformës online.

Raçi i cili deklaron për KosovaPress se nuk e ka kaluar COVID-19, shpreson se fal vaksinës do ta kalojë këtë rrezik.

Raçi: Nuk e kam kaluar virusin, më thanë me aplikua përmes telefonit

“Më thanë me aplikua përmes këtij dokumenti për shiku më thanë përmes telefonit të tregojnë ata….80 vjeçar jam…Nuk e kam fare virusin. E kam dokumentacionin…Me u vaksinua me kohë besoj e shtyjmë edhe ndonjë ditë“, u shpreh ai.

Por krahas këtyre të moshuarve që nuk u lejuan as të hyjnë në qendrën e vaksinimit në Prishtinë ku tashmë po ndodh vaksinimi, mjekë e infermierë të shumtë tashmë e kanë marr dozën e parë të vaksinës AstraZeneca.

Laboranti i Qendrës së Mjekësisë Familjare 1 në Prishtinë, Ramë Maliqi vetëm 20 minuta pasi e mori vaksinën kundër koronavirusit deklaroi për KosovaPress se po ndihet shumë mirë.

Maliqi: Pasi e mora vaksinën po ndihem shumë mirë

“Unë jam shumë mirë para 20 minutave veç e kryem procesin e vaksinimit as që e kam ditur kur e kam marr, dhe tash kurfar simptomash nuk ka si është më së miri…Dozën tjetër na e kanë dhënë informacionin e kemi këtu datën e shënuar nuk e kam lexuar ende mund të ndodh që na lajmërojnë sepse unë jam edhe punëtorë shëndetësor. Unë me dëshirën më të madhe e kam marr, për momentin nuk ka se si qysh më mirë I apeloj të gjithë që ta marrin me dëshirë“, tha Maliqi.

Shyqyri Valli nga Shtimja kishte marr rrugën sot drejt Prishtinës për t’u vaksinuar. Valli i cili është shofer i autoambulancës në QKMF-në e kësaj komune thotë se tashmë pasi që mori vaksinën po ndihet mirë nuk ka ndonjë shqetësim, madje apeloi që të vaksinohen të gjithë qytetarët.

Valli: Tani po ndihem mirë, apeloj ta marrin këtë vaksinë të gjithë qytetarët

“Kjo vaksinë duhet me u përdorë në gjithë popullatën është e mirëseardhur edhe për popullin e Kosovës si në gjithë botën…Unë e ndjej vetën shumë mirë ku kam shpresa se do ndihemi gjithë populli mirë, dhe iu bëjë thirrje gjithë popullit që të vaksinohen se kjo është një ndihmë për ne shumë e madhe për ta larguar rrezikshmërinë e COVID-19….Neve na treguan pas 6 javëve kështu që jemi ne të gatshëm prapë të vijmë të vaksinohemi dhe të mbrohemi nga COVID-19”, u shpreh ai.

Imunizimi i profesionistëve shëndetësorë me vaksinën AstraZeneca ka nisur edhe në Klinikën Infektive, ndërsa nga dita e enjte vaksinimi pritet të ndodh edhe nëpër Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare nëpër komuna.

Më 28 mars kanë arritur 24 mijë dozat e vaksinë AstraZeneca, të cilat i janë dhuruar Kosovës nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon furnizimin me vaksina të vendeve në zhvillim. UNICEF ndihmon në shpërndarjen e vaksinave në këto vende.

Sipas planit shtetëror të vaksinimit, përparësi për vaksinim kanë profesionistët shëndetësorë, ndërsa pas tyre personat mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat