Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pritur në takim Guvernatorin e Bankës Qendrore, Fehmi Mehmetin.
Përfaqësimi i Republikës së Kosovës në Arbitrazh ishte temë qendrore e këtij takimi, me ç’rast u diskutua rreth bashkëpunimit për përfaqësim sa më dinjitoz në këtë institucion.
Sipas njoftimit për media, Guvernatori Mehmeti, e vlerësoi të rëndësishëm koordinimin ndërinstitucional dhe njëherit ofroi bashkëpunimin për përfaqësimin sa më profesional në Arbitrazh.
“Ministrja Albulena Haxhiu shprehi vullnetin dhe gatishmërinë e plotë për të ofruar bashkëpunim brenda kompetencave në synim të rezultatit sa më të mirë në këtë përfaqësim. Guvernatori Mehmeti theksoi edhe rëndësinë e rregullores për përcaktimin e kritereve për vlerësimin e dëmeve jo-materiale si dhe vështirësitë e bashkëpunimit me institucionet kryesore të drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, në këtë takim është diskutuar edhe për rëndësinë e themelimit të Gjykatës Komerciale duke adresuar çështjen e përzgjedhjes së ekspertëve financiar dhe profesionalizmit të tyre.