Në Republikën e Kosovës shumë shpejt pritet të vijnë edhe doza të tjera të vaksinave Pfizer-BioNTech për të luftuar koronavirusin.
Programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka nisë shpërndarjen e vaksinave kundër koronavirusit në Kosovë dhe kjo do të vazhdojë.
Kjo iu konfirmua ish-ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemajt, përmes një email-i zyrtar nga Covax.
“I nderuar ministër i Shëndetësisë, caktimi për dozat Pfizer-BioNTech BNT162b2 që janë në dispozicion për muajin qershor 2021 janë kompletuar më 19 mars, në të njëjtën kohë ju njoftoj se vaksinat Pfizer-Biontech BNT162b2 janë caktuar për këtë periodë, nën kornizën e fabrikës COVAX”, thuhet aty.
Në email thuhet se periudha e pritjes në mes porosisë dhe dorëzimit që mbërrin në vend mund të jenë deri në 8 javë.
Menjëherë pas kësaj, Zemaj ia nisi të njëjtën e-mail ministrit aktual të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ai i tha Vitisë që të vazhdojë komunikimin me partnerët në sigurimin e pjesës tjetër të vaksinave nga Covax.
Ndryshe, në mbrëmjen e 28 marsit, në Kosovë arritën dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit. Bëhet fjalë për 24.000 doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga program i njëjtë.